Zana Çela dhe Josif Gjipali, dy emrat që shkojnë tek Rama për drejtorin e TKOB

Zana Çela, ish-drejtoreshë e TKOB dhe Josif Gjipali tenor, janë dy emrat që i shkojnë kryeministrit për të përzgjedhur drejtorin e Teatrit të Operas dhe Baletit, mëson Pasqyre.al.

Komisioni i ngritur në Ministrinë e Kulturës ka përzgjedhur nga gjashtë kandidatët si më potentët këta të dy, duke lënë jashtë Agim Hushin, Kleanthi Gjikën, Ylber Gjinin dhe Gëzim Xhaxhajn.

Zana Çela ish-drejtore në TKOB është producente e konkursit ndërkombëtar Marie Kraja dhe e njohur me problemet e Operas, ndersa Josif Gjipali tenor me sukses ndërkombëtar, ka vënë në skenat e huaja opera të ndryshme me një karrierë 13-vjeçare dhe i vlerësuar gjerësisht.

Zgjedhja e drejtorit pritet të bëhet në mbledhjen e parë të qeverisë. Ndërkohë më poshtë, po japim platformat e dy emrave të përzgjedhur, Çela dhe Gjipali:

ZANA ÇELA: Teatër kozmopolit, ekselencë dhe donatorë

Që në fill të platformës kam nënvizuar faktin që për hartimin e saj kam bërë analizën e TKOB sot, problemet, specifikat e tij. Këto më kanë shërbyer si guidë. Risqet më të mëdha të teatrove janë: rënia e interesit të shoqërisë, mungesa e subvencioneve që kërkojnë menaxhim. Si të dalim nga kjo gjendje për të siguruar të ardhmen: të rrisim audiencat që të kapin të gjitha kategoritë, sidomos të rinjtë, pra një teatër kozmopolit, duke u mbështetur në traditën e TKOBAP e në bashkëpunim me rrjetin europian të operës që siguron rritjen e nivelit. Angazhimi kryesor është ta kthejmë TKOB në një institucion të ekselencës, edukimit dhe inovacionit. Kam caktuar 6 fusha: ekselencë në program dhe zbatimin e kalendarëve artistikë, edukimin e publikut, thithjen e publikut, marketing dhe promocion. Menaxhim më i mirë i burimeve financiare që ka teatri, duke identifikuar burime të reja, donatorë, sponsorë; ripozicionim të vendeve të punës sipas aftësive dhe repertor më i gjerë: me të gjitha epokat, nga barokja te tendencat e reja.

Kanë munguar prodhimet për të rinj dhe fëmijë, duhet të ketë opera, balete, muzikale e koncerte. Muzikali ka shumë audiencë, sidomos në periudhën e rikonstruksionit. Baleti gjatë këtyre dy viteve ka bërë arritje, baleti kontemporan, do e vazhdojmë, duke respektuar edhe veprat klasike, si dhe prodhimet tona ekskluzive. Trupa të rrisë nivelin dhe të bëhet ndërkombëtare. Ndërsa koncertet për këtë periudhë të bëhen me formacion e orkestër më të vogël, të afta për t’u zhvendosur. Duhet krijuar departamenti i Edukimit, me projekte trajnimi për audiencat dhe shkollat. Platformë alternative për një teatër në tranzit: shumë njerëz më thanë se pse po kandidoj tani që teatri do jetë në rikonstruksion. Unë jam optimiste. Tani do të shkojmë aty ku është audienca, madje jam optimiste se audienca do të zgjerohet. Duhet ta orientojmë publikun tek Opera, që ata të mos e shohin si një thesar që është larg.

JOSIF GJIPALI: Sponsorizim nga biznesi, reforma e cunguar

Strategjia ime është si e askujt tjetër, dhe do ta përdor platformën si askush tjetër. Unë njoh repertorin. Do të bëj diferencën sipas vështirësive të rolit, sepse tenori i ‘Traviatës’ nuk mund të paguhet si Violeta. Meqë pagat janë të përcaktuara sipas kategorive, nëse një artist nuk këndon role primare, nëse nuk ia del në audicione, nuk ka pse paguhet sa të tjerët. Do arrij të krijoj një fond për diferencim pagash. Do kërkoj sponsorizim tek emra të mëdhenj të biznesit. Sa i takon ndarjes tek unë mes artistit, menaxherit, drejtorit artistik dhe tenorit, unë jam një artist që për 13 vite kam menaxhuar mirë veten- jam menaxhuar në mënyrë të shkëlqyer edhe pse nuk ka qenë e lehtë. Mjafton të sjell të ardhurat e mia, sa janë dhe nga vijnë, për të kuptuar se si jam menaxhuar. Për mua, reforma që është bërë në TKOB ka qenë e cunguar, mjafton t’ju them se është marrë një model gjerman që nuk është përkthyer, as përshtatur si duhet. Jam në gjendje që me kontratat që unë vetë kam firmosur për 13 vite, të përpiloj një kontratë të përshtatshme për rastin shqiptar. Sa u takon kontratave të përhershme, unë nuk mund të pushoj njerëz që janë në prag të daljes në pension, nuk mund të ketë as solist në TKOB që është 65 vjeç, nuk dua të krijoj probleme sociale, por do t’i sistemoj ata që nuk janë më në gjendje. Kam bërë shumë armiq gjatë jetës, madje edhe ata që s’duheshin, sepse nuk bëj kompromise, nuk i kam dhënë role as gruas sime. Për platformën alternative ndërkohë që teatri është në rikonstruksion, meqë opera nuk është art masash, dërgohen në rrethe pjesë që tërheqin disa. Unë njoh drejtorët artistikë të disa teatrove në Itali e Europë që mund të më ndihmojnë me alestimet që duan t’i heqin prej teatrove të tyre, dhe njoh po ashtu shumë kolegë që mund të vijnë të këndojnë këtu edhe nga kurioziteti që kanë për këtë vend. Kam menduar për një opera-studio për të rinjtë dhe për “Miqtë e operës”, që mund të funksionojë si një organizëm për mbledhje fondesh e sponsorizimesh.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *