Jorina Kryeziu
Një romancë ndërmjet një ushtari, Lul Mazrekut, dhe një stazhiereje të re, Vjollca Morinës, në qytetin bregdetar të Sarandës, është stisja, por edhe përdorja e radhës nga regjimi, për ngjarjet që rendin drejt tmerrit dhe mortit. Asgjë nuk është ashtu siç duket. Pas sfondit të mrekullueshëm veror, frymëzuar prej rrënojave të teatrit antik të Butrintit, regjimi komunist kërkon të shmangë valën e arratisjeve përmes inskenimit grotesk të zvarritjes së kufomës së aktorit (Lulit), duke sajuar ngjarjen e kinse përpjekjes për arratisje. Çdo kundërshtues, rrjedhimisht “i huaj” për regjimin, bëhet Tjetri. Në pozitën e tjetrit, Luli është trajtuar në përputhje me rrethanat e ngushta në të cilat e vendos regjimi. Në këtë karakter kadarean dallojmë lidhjen mes natyrës esenciale (personi) dhe shfaqjes së jashtme (personalitetit) të qenies njerëzore. Kjo perspektivë binare, e domosdoshme për të shquar karakteristikat sipërfaqësore të identitetit vetjak të protagonistit, po dhe për të dalluar ndryshimin e brendshëm, luftën e lojën që ndodh brenda tij, bën që tek ai të ndodhë akti i tjetërsimit nga Vetja tek Tjetri, si një manifestim i marrëdhënieve të pushtetit. Jeta e tij tashmë i përngjan një loje, një drame, një lloj teatri, ku të gjithë e dinë të vërtetën, por, po të gjithë sillen sikur nuk dinë asgjë.
Për të terrorizuar popullin, por edhe për ta bërë atë protagonist, si një histori ringjalljeje faniten ngjarjet e Trojës: zvarritja e trupit të Hektorit prej Akilit përpara njerëzve që bëjnë sehir, përdoret prej strukturave më të larta shtetërore, si zgjidhje për të ndaluar personat që dëshironin arratisjen nga vendi. Butrinti kthehet në shëmbëlltyrë të Trojës, ndërsa zvarritja e kufomave, ngjarja e ardhur në ndihmë prej antikitetit, shërben si aluzion i bashkëkohësisë.
Pikërisht atëherë kur kishte kujtuar se ishte ndarë me teatrin, Luli do të gjendej në “skenë”, në qendër të vëmendjes, por si shpagim i duhej të vinte një grim të tmerrshëm, grimin e kuq antik, të bërë prej plumbash e çarçafësh të bardhë të gjakosur, të ngjallte tmerr dhe mëshirë, siç thoshte dhe ligji i parë i tragjedisë.
Në mekanizmin e parandalimit të arratisjeve, përpos “aktorëve”, përfshihen edhe “agjente-prostituta”, njëra prej tyre dhe Vjollca Morina. Të vendosura në pozicionime të mirëmenduara, e duke shërbyer si murmbrojtëse të shtetit, ato janë të detyruara të denoncojnë çdo person që kishte ndërmend të ikte.
Dy të rinjtë, Luli dhe Vjollca, si dy elementë që shfrytëzohen prej regjimit monist për interesa të tij, shfaqin një nivel të ulët të vetëdijes, duke pranuar të qenit të shfrytëzuar. Për rendin diktatorial, çdokush që nuk bindej ishte i huaj, e për rrjedhojë i përjashtuar ose dhe i asgjësuar. Bota e përshkruar prej Kadaresë është ajo e vërteta, ndërsa ajo që u jepet njerëzve të besojnë është një farsë. Në këtë vepër, duket se pasqyrohen disa të vërteta të ashpra politike të regjimit, duke e përballur individin me një prej të drejtave themelore të tij – nevojën për liri.