Arbnora Dushi
Zhvillimet teknologjike kanë ndikuar në ndryshimin, respektivisht lindjen e koncepteve të reja për folklorin dhe folkloristikën. Sipas Alen Dandis (Alan Dundes), teknologjia nuk e ka ngulfatur folklorin, përkundrazi, ajo është bërë një faktor vital në bartjen e tij, duke u bërë kështu burim ekzistues i inspirimit për folklorin e gjeneratës së re.
Interneti si një terren i ri krijues ka ndikuar në zgjerimin e zonës hulumtuese për folkloristët, sikur edhe për historianët gojorë dhe për hulumtuesit e kujtesës, respektivisht studiuesit e memorjes.
Duke postuar në Fejsbuk foto të vjetra të qyteteve, foto të vendbanimeve e vendkujtimeve që më nuk ekzistojnë, foto të individëve që kanë mbetur në kujtesën e komunitetit e foto të momenteve që i kemi harruar, ne i thërrasim kujtesës individuale, të grupi e të shoqërisë. Duke i rikujtuar momentet e harruara si edhe njerëzit që e kanë plotësuar të kaluarën tonë, ne e rindërtojmë historinë dhe e vlerësojmë e pasurojmë trashëgiminë.
Marr në trajtim shembuj nga faqet e Fejsbukut, të grupeve sociale, të cilët nëpërmjet postimit të fotografive të vjetra zgjojnë vëmendjen e komunitetin në evokimin e kujtimeve. Nga materialet e postuara si edhe komentet, provokohet kureshtja për çështjet si:
– Cili është roli i Fejsbukut në thirrje të kujtesës?
– A mund të konsiderohet Fejsbuku mjet për rikonstruktimin e historisë?
– A mund të pranohet Fejsbuku si terren hulumtimi për folkloristët dhe historianët gojorë?
– A është Fejsbuku një “digital memory”?
Nëpërmjet kornizës teorike të nxjerrë nga folkloristët Trevor Blank, Lynn McNeill e Anne Heimo, sikur edhe nga studiuesit e kujtesës sociale e kulturore Maurice Halbwachs, Paul Thompson, Astrid Erll, etj., bashkë edhe me lëndën praktike të sipërpëmendur, mundohem të gjej përgjigje në çështjet e adresuara.