Është një nga filozofët më të shquar gjermanë me origjinë polake i shek. të 19-të. Ai ka qenë një kritik i ashpër i Krishterimit (dhe i fesë në përgjithësi), i idealizmit gjerman, i Feminizmit dhe i modernizmit në përgjithësi.
Ai konsiderohet si një mjeshtër i vërtetë i aforizmave filozofike të krijuara në formë eksperimentale. Për këtë arsye, ai është urryer, adhuruar, keq-interpretuar dhe ndoshta mbetet edhe sot e kësaj dite filozofi më i vështirë për t’u kuptuar.
Nietzsches i përket një nga thëniet më të famshme në histori, ‘Zoti ka vdekur’, por kuptimi nuk është aspak ai i supozuar. Nietzsche flet për bashkëkohësit e tij, hipokrizia e të cilëve le të kuptohet se ata në fakt jetojnë ‘sikur Zoti të kishte vdekur’. Sipas Nietzsche ‘… ka ekzistuar vetëm një i krishterë i vërtetë, dhe Ai vdiq në Kryq’.
Nietzschelindi më 15 tetor 1844; vdiq më 25 gusht 1900.
MESIMET
Friedrich Nietzche ka lindur në vitin 1844 në një fshat të qetë në pjesën lindore të Gjermanisë, ku – për breza të tërë – paraardhësit e tij kishin qenë pastorë. Ai kish patur rezultate veçanërisht të shkëlqyer në shkollë dhe universitet; kishte shkëlqyer kaq shumë në greqishten e lashtë (një lëndë shumë prestigjoze për kohën), saqë e bënë profesor në Universitetin e Bazelit kur ishte ende në mesin e të njëzetave.
Por karriera e tij zyrtare nuk shkoi dhe aq mirë. Atij i erdhi në majë të hundës me kolegët akademikë, hoqi dorë nga puna dhe u zhvendos në Zvicër dhe Itali, ku jetoi në mënyrë modeste dhe shpesh herë i vetmuar. U refuzua nga një sërë grash, gjë që i shkaktoi shumë dhimbje (“Mungesa ime e vetëbesimit është shumë e madhe”). Ai nuk shkonte mirë me familjen e tij (“nuk më pëlqen ime më , dhe më dhemb qoftë edhe kur i dëgjoj zërin sime motre”) dhe në mesin e izolimit të tij, Nietzsche rriti mustaqe shumë të mëdha si dhe bënte shëtitje të vetmuara përditë në fshat. Për shumë vite, librat nuk i shiteshin pothuajse fare. Kur ishte 44 vjec, pati probleme të shëndetit mendor. Nuk e mori më kurrë veten dhe ndërroi jetë 11 vjet më vonë.
Nietzsche besonte se detyra kryesore e filozofisë së tij ishte të na mësonte “si të bëhemi ata që jemi”, me fjalë të tjera, si të zbulojmë dhe t’i qëndrojmë besnikë potencialit tonë më të lartë.
1. ZILIA
Nietzsche besonte se lakmia zë një pjesë të madhe të jetës sonë. Megjithatë, përgjithësisht na mësojnë që të ndihemi të turpëruar për ndjenjat tona të lakmisë. Duken sikur janë një tregues i të ligës. Kështu që, ua fshehim vetvetes dhe të tjerëve, aq shumë sa ka njerëz që ndodnjëherë thonë, me sinqeritet të plotë, se nuk kanë zili askënd.
Kjo është logjikisht e pamundur, këmbëngulte Nietzsche, sidomos nëse jetojmë në botën moderne (që ai e përcaktonte si cdo kohë, pas revolucionit francez). Në sytë e Nietzsches, demokracia e masave dhe fundi i epokës së vjetër feudalo-aristokratike, kishte krijuar një terren të përsosur pjellor për ndjenjat e lakmisë, për arsye se tashmë të gjithë ndiheshin të nxitur të ndiheshin si të barabartë me gjithë të tjerët. Në kohët feudale, askush nuk do të kish guxuar të ndiente zili për princin. Por tani, të gjithë e krahasonin vetveten me gjithkënd tjetër dhe si pasojë, ishte i ekspozuar ndaj një përzierje të paqëndrueshme ambicieje dhe pamjaftueshmërie.
Megjithatë, nuk ka asgjë të gabuar me zilinë, thoshte filozofi. Ajo që ka rëndësi është mënyra si e kontrollojmë. Madhështia vjen prej aftësisë sonë për të mësuar prej krizave të zilisë. Nietzsche mendonte për zilinë si një shenjë konfuze, por e rëndësishme, që vjen prej thellësisë së vetvetes sonë, në lidhje me atë që duam.
Cdo gjë që na shkakton zili është një fragment i potencialit tonë të vërtetë, të cilin ne “e mohojmë” për riskun tonë. Ne duhet të mësojmë ta studiojmë në mënyrë metodike zilinë tonë, duke mbajtur një ditar të momenteve kur e ndiejmë, dhe më pas të këqyrim me kujdes episodet, për të ndërtuar një vetvete më të mirë për të ardhmen.
Zilia të cilën nuk e pranojmë dhe nuk e marrim nën kontroll, do të përfundojë duke lëshuar atë që Nietzsche e quante “aromë sulfuri”. Hidhësia është zili që nuk e kupton vetveten. Nuk është se Nietzsche mendonte që ne gjithmonë përfundojmë duke marrë atë që duam (këtë ia kishte mësuar mirë vetë jeta e tij). Ai thjeshtë këmbëngulte se duhet të bëhemi të vetëdijshëm për potencialin tonë të vërtetë, të luftojmë heroikisht për ta nderuar atë dhe vetëm pas kësaj të vajtojmë për dështimin me një ndershmëri dinjitoze.
2. MOS JI KRISTIAN
Nietzsche kishte disa gjëra ekstreme për të thënë për kristianizmin: “Unë e quaj Krishtërimin mallkimin e madh. Në të gjithë Testamentin e Ri, ka vetëm një person që ia vlen të respektohet: Pilati, guvernatori romak”.
Janë gjëra vërtetë të guximshme, por shënjestra e vërtetë e tij ishte më interesante: ai kritikonte kristianizmin sepse mbronte njerëzit nga zilia e tyre.
Sipas fjalëve të Nietzsches, kristianizmi ishte shfaqur në fundin e Perandorisë Romake në mendjet e skllevërve të druajtur, të cilëve u mungonin këllqet për t’u kapur pas asaj që donin me të vërtetë (ose të pranonin që kishin dështuar), kështu që ishin kapur pas një filozofia e cila e bënte burracakërinë e tyre të dukej si virtyt. Kristianët kishin dëshiruar të shijonin ingredientët e vërtetë të përmbushjes (një pozicion në botë, seks, përsosmëri intelektuale, krijueshmëri) por kishin qenë shumë të paaftë për t’i arritur. Si pasojë, ata ishin kapur pas një kredoje hipokrite, duke denoncuar atë që donin, por që ishin shumë të dobët për të luftuar për të – ndërkohë që vlerësonin atë që nuk e donin, por që ndodhte që ta kishin. Kështu, në sistemin kristian të vlerave, mungesa e seksit u shndërrua në “pastërti”, dobësia u bë “mirësi”, nënshtrimi ndaj njerëzve që i urreje “bindje” dhe, sipas frazës së vetë Nietzsches “paaftësia për t’u hakmarrë” u shndërrua në “falje”. Kristianizmi ishte pra, sipas tij, një justifikim gjigand për pasivitetin dhe një mekanizëm për t’ia shteruar krejt potencialin jetës.
3. KURRË MOS PI ALKOOL
Vetë Nietzsche pinte vetëm ujë – dhe në raste të vecantë, qumësht. Dhe ai mendonte që duhet të bëjmë të njëjtën gjë. Në fakt, nuk po ofronte një këshillë ekscentrike dietike. Ideja ishte në qendër të filozofisë së tij, e përmbledhur në këtë deklaratë: “Ka patur dy narkotikë të mëdhenj në qytetërimin europian: kristianizmi dhe alkooli”.
nice 2Ai e urrente alkoolin për po të njëjtat arsye që kritikonte kristianizmin: sepse të dy ulin dhimbjen dhe të dy na japin siguri që gjërat janë mirë kështu si janë, duke na i hequr vullnetin për ta ndryshuar për më mirë jetën tonë. Disa gota alkool na ofrojnë një ndjenjë tranzitore kënaqësie, e cila mund të na pengojë fatalisht për të ndërmarrë hapat që nevojiten për të përmirësuar jetët tona. Nuk është se Nietzsche admironte vuajtjen në vetvete. Por ai e pranonte të vërtetën fatkeqe se rritja dhe arritjet në jetë kanë aspekte të dhimbshëm: “Po sikur kënaqësia dhe moskënaqësia të ishin kaq shumë të lidhura mes tyre, saqë kushdo që do të donte të kishte sa më shumë të jetë e mundur nga njëra, duhej të kishte gjithashtu sa më shumë që të jetë e mundur edhe nga tjetra. Në jetë ke një zgjedhje: ose sa më pak moskënaqësi që të jetë e mundur, ose sa më shumë moskënaqësi që të jetë e mundur, si cmim për një bollëk kënaqësish dhe gëzimesh që ofron jeta”. Mendimi i Nietzsches rikalibron kuptimin e vuajtjes. Nëse mendojmë që gjërat janë të vështira, kjo nuk është domosdoshmërisht një shenjë dështimi, por mund të jetë provë e mirësisë dhe përsosmërisë së detyrave që marrin përsipër të realizojmë.
4. “ZOTI KA VDEKUR”
Pohimi dramatik i Nietzsches nuk shtë, sic thuhet shpesh, një lloj deklarate festuese. Pavarësisht rezervave që kishte për kristianizmin, Nietzsche nuk besonte se fundi i besimit në Zot ishte një gjë që duhej përshëndetur apo festuar.
Besimet fetarë ishin falsë, mendonte ai; por ai vërente se në disa drejtime ishin shumë dobiprurës për një funksionim të shëndetshëm të shoqërisë. Heqja dorë nga feja do të sillte si pasojë që njerëzit do të viheshin në kërkim të mënyrave të reja për të gjetur udhërrëfyes, ngushëllim, ide etike dhe ambicie shpirtërore. Kjo do të ishte e vështirë, parashikonte Nietzsche. Ai propozonte që boshllëku që do të linte pas feja duhej që të plotësohej, në rastin ideal, me Kulturë (filozofi, art, muzikë, letërsi): Kultura duhet të zëvendësojë shkrimet.
Megjithatë, Nietzsche ishte thellësisht dyshues për mënyrën se si epoka e tij kishte menaxhuar Kulturën. Ai besonte se universitetet po i vrisnin shkencat humane, duke i kthyer në ushtrime të thatë akademikë, në vend që t’i përdornin për atë që gjithmonë duhej të kishin qenë: udhërrëfyese për jetën. Ai admironte në vecanti mënyrën se si grekët kishin përdorur tragjedinë në një mënyrë praktike, terapeutike, si një shans për katarsis dhe edukim moral – dhe uronte që edhe njerëzit në kohën e tij të ishin po kaq ambiciozë.
Ai akuzonte kulturën e universiteteve dhe të bazuar në muzetë, se po tërhiqeshin prej potencialit udhërrëfyes dhe moralizues të kulturës, pikërisht në kohën kur vdekja e Zotit, sipas tij, i kishte bërë këta aspekte më të domosdoshëm.
Nietzsche bënte thirrje për një reformim, ku njerëzit – tashmë të vetëdijshëm për krizën që kish sjellë fundi i besimit – do të plotësonin boshllëqet e krijuar nga zhdukja e fesë, me dijen dhe bukurinë shëruese të Kulturës.
KONKLUZION
Çdo epokë ka sfida të vecanta psikologjike, mendonte Nietzsche, dhe është detyrë e filozofit që të ndihmojë për t’i identifikuar dhe për të ndihmuar në zgjidhjen e tyre.
Për Nietzschen, shekulli 19 ndiente impaktin e dy zhvillimeve: Demokracinë e Masës dhe Ateizmin. E para kërcënonte se do të lëshonte rryma zilie të patretshme dhe pakënaqësie helmuese; e dyta kërcënonte t’i linte nejrëzit pa udhërrëfim apo moralitet.
Në lidhje me të dy këto sfida, Nietzsche hartoi disa zgjidhje magjepsëse dhe praktike – prej të cilave në kohën tonë kemi disa gjëra praktike për të mësuar, gjë që ai do ta kish dashur aq shumë. (Philosopher’s Mail/ shqipëruar nga bota.al)