Përtej kësaj pike s’na pret më asgjë!

bob-dylan
Nga Bob Dylan
Të dua, e bukura vogëlushe!

Je e vetmja dashuri që në jetë kam njohur

për aq kohë sa me mua do të rrish

e gjithë bota do të jetë froni im.

Përtej kësaj pike shtrihet hiçi,

asgjë që do të mund ta quanim tonën.

Pas mesnatës po sorrollatem

nëpër bulevarde zemrash të thyera,

nuk di se çfarë do të bëja pa këtë ndjenjë,

pa këtë dashuri që e quajmë tonën.

Përtej kësaj pike na pret asgjëja,

asgjë përveç hënës dhe yjeve.

 

Në fund të çdo rruge ka një dritare,

dhe çdo dritare prej xhami është bërë,

e bukura vogëlushe, do të vazhdojmë të duhemi

për aq kohë sa dashuria të zgjasë.

Përtej kësaj pike nuk ka më asgjë,

veç maleve të së shkuarës.

 

Anija ime në liman gjendet

me velat e fryra është bërë gati.

E bukura vogëlushe, pa më dëgjo pak,

vërma dorën përmbi kokë!

Përtej kësaj pike nuk na pret më asgjë,

që s’është bërë e s’është thënë ndonjëherë

(Nga vëllimi “Strehë nga stuhia” përzgjedhur dhe shqipëruar nga Edvin Shvarc, Plejad 2011)


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *