ZHGËNJIMI I KRISHTIT

Sadik Bejko 

Me një thes në arna ajri,
thes me aq nyje, sa dhe fantazma,
doli në rrugë të bëjë mrekulli
Krishti i ulur nga parajsa.

Krisht në rrugë të pluhurta, të thara,
pa gishta që verbimin prekin,
e bëjnë sy në zgavra.

Krisht pa duar Madalene
ujit të këmbëve
t’u japë shenjtërinë e reve.

Krisht që nuk zë peshk
në formën e bukës
e në formën e peshkut nuk vë mish
si në zbrazëti konserve.

Krisht pa thuprën e blertë
që nga një vesh në tjetrin
vë ajër dëgjimi
në shurdhmemeca –

shkurt, një Krisht pa kompetenca.

Krishti u end për vëllazëri,
… për fajësi të vetes:
thesi i halleve të botës, i madh,
s’shërohej me fëshfërima gjethesh.

Në sup i rëndonte gur
e vetes fantazma,
u tret, u bë arnë ndër arna.

S’do të kthehej më në qiell.
Te udhëkryqi i parë u shtri,
Në arna vuri pak diell.

Në trup së gjalli
iu mblodhën milingona:
Thanë: Krisht nën këmbët tona.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *