Zhdukja e Agathas e vdekja misterioze e Poes. Pesë mistere letrare magjepsëse, që nuk janë zgjidhur asnjëherë!

Zhdukje të pashpjegueshme, dorëshkrime të çuditshme, vdekje pa një shkak të njohur:këto janë disa nga misteret që kanë përfaqësuar elementet kryesore të trillimeve letrare për shekuj me radhë. Por ato vetë kanë përfaqësuar misteret kryesore në jetën e disa prej autorëve të tyre, të mbushur me mistere të pashpjegueshme apo edhe thjesht banale.

Zakonisht, kur lexojmë një libër misterioz, apo kur shohim një libër të frikshëm, mund të mbështetemi tek një lloj përfundimi që bashkon shumicën e rasteve, edhe nëse përfundimi nuk është gjithmonë i kënaqshëm. Megjithatë në jetën reale, duhet të pranojmë se disa mistere do të mbeten gjithmonë të tilla. Ja cilat janë 5 mistere të vërteta letrare, që nuk janë zgjidhur ende.

Çfarë është shkruar në dorëshkrimin e Vojnish?

Ky libër ekziston që nga fillimi i shekullit XV-të, dhe ne ende nuk e dimë se çfarë do të thotë, dhe madje se në çfarë gjuhe është shkruar. Vilfrid Vojnish e bleu librin në vitin 1912, dhe që nga ajo kohë ai është studiuar nga kriptografët për vite me radhë.

Shkrimi është nga e majta në të djathtë, dhe libri është i mbushur me ilustrime të radhitura me kujdes të bimëve, grave, kështjellave, dragonjve, e kështu me radhë. Por alfabeti i përdorur është krejtësisht i panjohur.

Disa kanë teorizuar se libri është plot me njohuri të fshehta mbi mjekësinë dhe shkencën që kishte për bazë bimët barishtore, të shkruara në mënyrë të koduar për të shmangur akuzat për magji. Teoritë e tjera variojnë nga magjia tek alienët, dhe deri tek udhëtarët në kohë. Por ne mund të mos e dimë ndoshta kurrë të vërtetën.

Kush e vrau shkrimtarin amerikan Edgar Alan Poe?

Gjatë jetës së tij ky shkrimtar ka shkruar shumë histori rrëqethëse. Por historia ndoshta më e tmerrshme nga të gjitha ka të bëjë me vdekjen e tij. Poe udhëtoi nga Riçmondi i Virxhinias për në Filadelfia, pasi donte të redaktonte një koleksion poezish.

Një javë më vonë, ai u gjet në rrugë në Baltimora në gjendje të rëndë shëndetësore, dhe i veshur me rrobat e dikujt tjetër. Me sa duket ai nuk mbërriti kurrë në Filadelfia, dhe askush nuk e di se ku e kaloi atë javë fatale. Po u dërgua te një mjek në Baltimora, por tashmë ishte shumë vonë. Shkrimtari nuk e rimori dot vetëdijen dhe vdiq 4 ditë më vonë, në mesin e haluçinacioneve dhe duke bërtitur vazhdimisht emrin Rejnolds.

Ku ndodhet komedia e munguar e Shekspirit?

Ekziston të paktën një pjesë e Shekspirit, të cilën mund ta quajmë të humbur. Ndër vite ka pasur disa deklarata nga njerëz, që kanë pretenduar se e kanë gjetur tekstin e komedisë “Cardenio”, por asnjëra prej tyre nuk mund të deklarohet përfundimisht autentike.

Ajo që ne dimë është se në vitin 1653, një botues kishte të drejtat e komedisë “Historia e Cardenios”, kompania  “Fletcher & Shakespeare”. Dhe kompania e Shekspirit ishte paguar për të vënë në skenë diçka të quajtur “Cardenna” dhe “Cardenno”. Vepra ekzistonte thuajse me siguri, dhe ka qenë me shumë mundësi një përshtatje e veprës “Don Kishoti” të Servantesit. Por sa i përket vetë skenarit, kjo vepër mund të ketë humbur në kohë.

Pse Agata Kristi u zhduk për 11 ditë?

Në një rast shkrimtarja e famshme e romaneve thriller, Agata Kristi, u zhduk pa gjurmë për 11 ditë. Nuk është çudi që këta shkrimtarë të veçantë, janë shumë të aftë për të qenë misteriozë. Të premten e 3 dhjetorit 1926, Kristi i hipi makinës së saj dhe u largua natën nga shtëpia.

Zhdukja e tij nxiti një kërkim intensiv nga zyrtarët e policisë por edhe kolegët e saj shkrimtarë, përfshirë Sër Artur Konan Dojli dhe Doroti L.Sajers. Makina e sa u gjet shumë shpejt e braktisur diku, por asgjë shenjë e Kristit, apo gjurma e ndonjë aksidenti.

11 ditë pas zhdukjes së saj, Kristi u rishfaq në një hotel luksoz në qytetin Harrougejt, duke pretenduar se nuk mbante mend asgjë nga zhdukja e saj. Ajo kishte hyrë në hotel me identitetin e Tereza Nill, që ishte emri i të dashurës së burrit të saj. Kristi u rikthye në jetën e saj normale, pa kujtuar dot ato 11 ditë misterioze kur u zhduk.

Kush e shkroi “Beowulf”?

Një nga poezitë epike më të famshme në historinë e letërsisë u shkrua nga…një anonim. Deri më sot askush nuk e di se kush e shkroi “Beowulf”. A ishte një shkrimtar? Apo një grup shkrimtarësh? A ishte një përpjekje për të rishkruar historinë anglo-saksone, duke i shtuar një mori përbindëshash, apo një histori krejtësisht imagjinare?

Ka të ngjarë që kushdo që e shkroi atë poemë të jetë mbështetur tek tradita gojore. Po ashtu ka gjasa që kushdo që e shkroi, të ketë qenë duke përmbledhur mitet e lashta pagane, duke iu dhënë atyre një kuptim të krishterë. Dorëshkrimi më i vjetër ekzistues, daton rreth 1.000 vjet më parë. Ndaj nuk ka shumë gjasa që ne ta mësojmë ndonjëherë se kush ishte ky autor misterioz. / Libreriamo – Bota.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *