Verbëria, Ndrenika dhe pse na duhen më shumë se kurrë gazetarët!

Nga Jonida Hitoveizi

Një foto e aktorit të madh Robert Ndrenika qarkulloi tërë ditën e 1 shkurtit kudo në rrjet, me komentin se ai ishte braktisur nga kujdesi që duhej t’i ofrohej dhe po priste në radhë në një nga spitalet e vendit. Foto, nuk kishte as autor, as burim serioz apo të besueshëm sadopak dhe sigurisht ajo nuk u jepte aspak përgjigje pesë W-ve të famshme, ABC-ja e gazetarisë ( Kush, ku, kur, si dhe pse). E megjithatë sensacioni u bë, histeria shpërtheu, klikimet u morën dhe pastaj asgjë, veshët ulur. Dikush pati aq kthjellim dhe instikt sa të pyeste si qe puna dhe doli se foto jo vetëm që nuk ishte e djeshme, po ajo nuk kishte asnjë lidhje me gjendjen shëndetësore aktuale të aktorit. Madje asnjë nga ata që e botuan si lajm të mirëqenë nuk e zgjatën dot dorën deri tek telefoni për t’i rënë numrit të aktorit e për ta pyetur sesi ishte (miu përdoret veç për kopje).

Gjithçka ishte e rreme dhe u vërteta se shumë nga ata që qanë virtualisht thjesht përmbushën dëshirën e tyre për të marrë pak vëmendje, meqë Teatri i Metropolit pak ditë më parë njoftoi shtyrjen e shfaqjes ku luan Ndrenika pasi ky i fundit nuk ndihej shumë mirë. (Raste të tilla janë gjithmonë të shkëlqyera edhe për të bërë politikanin virtual nga karrigia e ndonjë kafeje në diell).

Megjithatë ky nuk është rasti i vetëm, por është një nga ato rastet që bie më tepër në sy.

Interneti dhe media online, ku çdokush që ka një profil Facebook është kthyer në një dashnor të zjarrtë të së vërtetës absolute, është një skenë në mos apokaliptike, një skenë çmendurie, që ngjason shumë me skenat e romanit Verbëria të Jose Saramangos. Po me një ndryshim; teksa në librin e tij shoqëria verbohet “nga një dritë e bardhë qumësht), në epokën e shoqërisë shqiptare të internetit njerëzit janë infektuar nga psikoza se çdokush sheh, mbigjithçka di dhe,  mund të bëjë ekspertin, sidomos për të dhënë lajme, për të sajuar burime, për të dhënë mend e për të ofruar sy . Kjo është një lloj verbërie tjetër, gati më e keqe se ajo e Saramangos, pasi këtu jemi qorruar të gjithë nga lakmia për tu bërë protagonist. Në këtë karantinë çmendurie virtuale, të vetmit që mund të na shpëtojnë e mbajnë për dore deri sa të shërohemi janë mediat ku punojnë gazetarë profesionistë, të cilat duhet  të mos verbohen nga  overdoza e klikimeve dhe të përmbushin minimalisht transmetimin e ngjarjes duke iu mbajtur atyre pesë pyetjeve elementare. Sot, kemi më shumë nevoje se kurrë për gazetarë në kuptimin klasik të fjalës, jo për rradhitës apo shpikës e delirantë; kemi nevojë për përgjigjet e pesë pseve, jo vetëm për të shkruar pesë pse-të.

Përndryshe të gjithë herët a vonë do shohim veç një “dritë të bardhë qumështi”!

 

 

 

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *