“The Card Counter”, apatia e njeriut në kërkim të dhimbjes!

Nga Bjorn Runa

“Ka gjithmonë një barrë që njeriu bart në shpirt. Barra e të shkuarës. Është një peshë, të cilën nuk mund ta shkundësh kurrë. ”

Është tashmë e qartë se Paul Schrader ka krijuar personazhin e tij, të cilin prej vitesh e tërheq nga një film tek tjetri. Ai është njeriu, i cili qëndron ulur në dhoma që bien menjëherë në sy për nga zbrazëtia e asketizmi si një paralelizëm ndoshta për vetë boshllëkun e tyre shpirtëror. Është i njëjti person, burrë, thuajse gjithmonë rreth të dyzetave, i cili shkruan në ditar dhe përmes voice over-it ne dëgjojmë mendimet e tij. Është personazhi, i cili nuk flet me askënd dhe jeta për të është nuk është tjetër, veçse një përpjekje apatike për shtyrë kohën nën peshën shtypëse të së shkuarës. Ai mund të jetë taksisti i vetmuar, Travis Bickle (“Taxi Driver”); shpërndarësi i drogës në kërkim të një vlere të re të jetës si John LeTour (“Light Sleeper”); pastori në krizë ekzistenciale përballë katastrofës ambientale, Ernst Toller (“First Reformed”) apo ish-torturuesi i ushtrisë amerikane në Irak, Ulliam Tell (“The Card Counter”). Secili prej këtyre personazheve vjen nga botë krejt të ndryshme, e megjithatë të gjithë shfaqen thuajse identikë në jetët e tyre. Ndoshta për të na treguar se sado të largët jemi nga njëri-tjetri, në thelb ndryshojmë vetëm pak. Personazhet e tij flasin me të njëjtin ritëm, bartin peshën e së shkuarës dhe duket se janë në kërkim të një çlirimi gati-gati hyjnor. Për çdo regjisor, përdorimi i të njëjtit personazh, i atmosferës që nuk ndryshon nga një film tek tjetri dhe situatave thuajse gjithmonë të ngjashme në thelb, do të shihej si imagjinatë e varfër. Megjithatë, në rastin e Schrader, kjo çuditërisht duket se vijon të funksionojë pa u bërë e lodhshme.

Uilliam Tell (versioni anglisht i Vilhelm Tel) i luajtur nga Oscar Isac, është personazhi kryesor i filmit më të fundit të Paul Schrader, “The Card Counter.” Tell është ish-ushtarak, i cili ka marrë pjesë në torturat e ushtrisë amerikane në burgun Abu Gharib në Irak. Pas lirimit nga detyra ai përfundon në burg, ku mëson të numërojë letrat e lojës poker. Pëgjatë filmit, Tell endet nga një kazino në tjetrën duke vënë baste të vogla, gjithmonë i sigurtë për fitoren. Ndërsa numërimi i letrave në poker quhet hile dhe ndalohet nga çdo kazino, Uilliam Tell spiegon se për sa kohë bastet janë të ulëta dhe fitimi i pakët, kazinotë mund të mbyllin një sy. Ato janë të gatshme të pranojnë humbje të vogla herë pas here, ndërsa për vetë Uilliam Tell, fitimi nuk është edhe aq i rëndësishëm. Aq më pak është fjala këtu për ndjesinë e aventurës që pokeri mund të dhurojë për disa. Për të, kjo shërben thjesht “për të shtyrë kohën,” e ndoshta edhe për të harruar të shkuarën që vijon ta përndjekë.

Gjatë filmit ka disa momente që mbeten në mendje, por më tronditësi prej tyre vjen thuajse qysh në fillim. Është skena kur Uilliam Tell dhe të burgosurit e tjerë janë duke ngrënë darkën. Në qetësinë e një momenti të tillë, Tell përfshihet krejt befas në konflikt me një prej të burgosurve, pa kurrfarë shkaku. Të paktën kështu duket për disa sekonda. Por, ai është në fakt në kërkim të dhimbjes. Ai e lejon dhe e nxit më tepër të burgosurin tjetër që ta godasë disa herë, gjersa fytyra e përgjakur e Uilliam Tell ngërdheshet, në atë ku vetëm një imagjinatë e sëmurë mund të shquajë trajtën e një buzëqeshjeje. Tell ndien se dënimi me burg nuk mund të shlyejë torturat që ai ka bërë në Irak. Në mpirjen e tij shpirtërore, ai kërkon vetëm më tepër dhimbje me shpresën se kjo do të mund ta zgjojë nga apatia.

“The Card Counter,” ashtu si çdo film i Paul Schrader, është kryesisht i ngadaltë. Pamjet thuajse zvarriten në ekran, të shoqëruara nga muzika e zvargur e kolonës zanore të kompozuar nga Rober Levon Been, (djali i Michael Been, një tjetër bashkëpuntor i hershëm i Schrader nga filmi “Light Sleeper.”). Të vetmet momente kur minimalizmi dhe apatia thyhen janë skenat e torturave të burgut Abu Gharib. Të filmuara përmes një lenteje me kënd të gjerë, ato shfaqen të transformuara si të gjenden m’u mbi vetë format sferike të syve të Uilliam Tell. Në pjesën më të madhe, këto momente janë të realizuara në një dubël të vetëm, të shoqëruara nga një muzikë shumë më energjike se ajo që dëgjohet në pjesën tjetër të filmit. Ato janë skena agresive, mbytëse qoftë për nga mënyra se si janë filmuar dhe kolona zanore. Kanë një efekt narkotik, që gati-gati të shtyn në një tjetër dimension më të çmendur, më instinktiv. Ndoshta, për këtë arsye drejt fundit të filmit, skena e fundit e dhunës nuk shfaqet. Ne dëgjojmë britmat e dhimbjes, por shohim vetëm bardhësinë e një dhome të zbrazët, teksa kamera largohet ngadalë, duke krijuar ndjesinë e shkëputjes tek audienca. Vetëm në këtë moment Ulliam Tell arrin të shpëtojë nga mpirja e tij shpirtërore. Pas këtij “pastrimi” përmes dhunës, Tell dhe ne bashkë me të mund të largohemi më në fund. Pas kësaj, ajo (dhuna) nuk është më e nevojshme.

Në endjen e tij nga një kazino në tjetrën, Uilliam Tell i bashkohen edhe dy personazhe të tjerë. Cirk, djali i një tjetër ish-ushtaraku që ka shërbyer me Tell në burgun e Abu Gharib, por të cilin pesha e fajit e ka shtyrë drejt vetvrasjes. Tjetra është La Linda (Tiffany Hadish), që drejton një grup lojtarësh pokeri dhe me të cilën Uilliam Tell bie në dashuri. Cirk është në nisje të procesit të hakmarrjes për të atin dhe për këtë kërkon ndihmën e Tell. Ky i fundit e fton t’i bashkohet përgjatë rrugëtimit të tij në lojërat e pokerit me shpresën se do të fitojë një sasi të mjaftueshme parash për të shlyer borxhet e djaloshit. A është kjo përpjekja e Uilliam Tell për të shpëtuar Cirk apo në fakt, po përpiqet të shpëtojë vetëm veten duke i dhuruar dikujt një jetë të re?

Me “The Card Counter,” Schrader duket se ka një nën-temë, të cilën mund ta shkundë lehtësisht nga supet. Pas kësaj, filmi kalon në një nivel gjysmë-surreal në kërkim të një çlirimi nga apatia e jetës dhe barra e së shkuarës, duke kulmuar në kuadrin e fundit, që përbën ndoshta më të bukurin e karrierës së tij filmike.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *