(Të) Bardhët do ta zbardhin të zezën e këtij vendi  

Nga Zefina Hasani
Në ditët kur ndodhën vrasjet në Velipojë e djegiet në Dhërmi, qëllova të isha për pak ditë pushime në Sarandë. Qetësia që po më ofronte shtëpia private e shoqes që më kishte ftuar, mu prish ndërsa lexoja e kuptoja ç’kishte ndodhur, e ndërkaq ndjeja se si më shtohej fort ndjesia e sigurisë, së të qenurit e shkëputur nga ato rreziqet e botës jashtë kangjellave të asaj shtëpie. Por pastaj vjen ai momenti që duhet të dalësh, të shijosh pedonalen e Sarandës, një ëmbëlsirë diku andej nga lokalet pranë molit të vogël apo dhe të ecësh kuturu, derisa të gjesh një qoshkë të lezetshme, të vogël fare, që të tërheq vëmendjen me njëmijë e një detajet elegante deri dhe tek emri: Manxuranë. Hyra dhe më shumë se ushqimin e verën, konsumova një bisedë të gjatë me të zotin e atij vendi që të bënte si magji. Bardhi quhej ai që në fakt, vetëm në darkë, mblidhej aty për të mbledhur llogaritë e xhiros që bëheshin në “Manxuranë” që siç më tregoi e kishte hapur i vëllai nxitur thjesht prej pasionit për verën dhe muzikën e mirë. E meqë vëllai punonte në Tiranë, Bardhi i kish marrë përsipër t’ja menaxhonte sa të mundej punët aty, çdo natë, pasi të kryente çdo ditë 100 punët e tij në Sarandë e përtej saj. Vendosja e tendave, për shtëpi e biznese të ndryshme është puna e tij, zanati i marrë me kujdes gjatë 6 viteve të emigrimit në Greqi, ndoshta me disiplinën e marrë në Shkollën e Bashkuar Ushtrake që e kish kryer, për këmbësor, para se ta dinte se do t’i duhej t’u jepte këmbëve drejt një jete shumë të vështirë përtej kufijve. Ajo çfarë mësoi andej, Bardhit nuk do t’i mjaftonte këndej ndaj më tregoi se krahas punës nisi të kryejë dhe studimet e larta për ekonomik, duke besuar se vetëm kështu do të mund ta kthente në biznes të vërtetë profesionin e marrë fillimisht si një çirak. Në vendin e tij ai duhej të krijonte emrin e tij, brandin e tij: Tenda Bardhi. Që edhe pse tashmë shumë i zgjeruar si aktivitet, nuk i mjafton. Ndaj ndalesa e çdo nate është “Manxuranë” e familjes së tij, ku çdonjëri (vëllezërit, motra e nëna) ka pjesën e tij të angazhimit e pasionit, me verën, gatimin, mjaltin, qëndismat, pecetat, manxuranën që siç më tregoi Bardhi, është bimae famshme e Çamërisë, zgjedhur enkas si emër për restorantin, për të treguar se sa për zemër e kanë origjinën e tyre.
Mund të kisha vazhduar pafund të bisedoja me këtë burrë punëtor, detaist e të mençur çam, por ai duhej të ikte të mbyllte llogaritë e “Manxuranës”. Ika edhe unë, e kenaqur prej asaj qoshke, që më bëri të kuptoj edhe një herë se të zezën e këtij vendi do ta zbardhin vetëm (të) Bardhët, ata që punojnë për t’i bërë gjërat ashtu si duhet, pak e nga pak, bukur e qetë, pa duf e sherre, pa lakmi për të fituar në babëzi, por
me durim e dashuri.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *