(RIBOTIM) Rrëfimi i fundit i Abdulla Krutanit, i mbijetuari i kampit të shfarosjes në “Mathausen”

Nga Jonida Hitoveizi

Adbullah Krutani është shqiptari i fundit që ka shansin të na rrëfejë ende tmerrin e një kohe që për shumë sot mund të tingëllojë joreale për shkak të distancës, qëndrimin e tij në “Kampin e shfarosjes”, Mauthausen. Në fillim kisha frikë sesi do të shkonte biseda për shkak të moshës, plot 94 vite jetë.

A do të mundte vallë të kujtonte gjërat nga viti 1943 dhe të mi tregonte me qartësinë që kërkon një rrëfim i tillë? 94 vjeçari, Abdulla Krutani të befason me kthjelltësinë e tij. Ai kujton çdo detaj, sidomos ato të kobshmet që ka përjetuar në kampin e vdekjes.

Ishte vetëm 17 vjeç kur nazistët së bashku me shumë shokë të tjerë i kapën në Pezë për t’i dërguar drejt ferrit.

“Unë jam internuar në vitin 1943 dhe deri nga fundi i nëntorit kam qenë në burgun e Tiranës, me shokët Kozma Nushi, Talat Noka. Më pas na çuan në tokat e Jugosllavisë, në kampin e Zemunit, pastaj në Beograd ku kemi ndenjur nga 5 muaj në secilin vend. Pastaj na çuan në perëndim. Kur më kapën, isha partizan, në Pezë. Aty na kapën mua dhe shumë shokë të tjerë”, tregon ai.

“Udhëtimi ka qenë me autokolonë deri në Beograd, pastaj me tren drejt perëndimit. Rruga deri në kamp ka qenë një sfidë më vete, ku gjermanët nga frika e ndonjë revolte për arratisje i linin të burgosurit të thaheshin për ujë.

“Nuk na jepnin ujë fare. Mbaj mend që binte shi dhe qitnim duart jashtë për të njomur pak buzët. Na kishin rrethuar me tela që mos të kishim mundësi të arratiseshim. Aty na vdiq një shok, gjatë udhëtimit. Pandi Dhimo, korçar, alamet djali. Vdiq për një pikë ujë”, më thotë me zërin e qartë.

E pyes sa gjatë kanë qëndruar pa ujë dhe më thotë se katër ditë nuk ju dhanë asnjë pikë ujë. Dhe kur vendosnin t’ua jepnin, ua jepnin me kursim, në mënyrë që të mos të mund të fitonin forcë fizike.

Kur e takon Adbullah Krutanin, kupton se nuk po takon thjesht një të mbijetuar të kampeve famëkeqe të Hitlerit, por një njeri të veçantë, me një forcë të jashtëzakonshme që ta bën bisedën për më të lehtë. Është kjo forcë që e ka mbajtur atë në jetë.

“Në radhë të parë njeriu duhet të ketë kurajo në vetvete. E dyta, gjithmonë duhet ta mbajë mendjen tek e mira, jo tek e keqja”.

Po ti ku e mbaje mendjen, e pyes.

“Tek familja në radhë të parë, tek nëna ime ( përlotet)  vëllai, motrat. Gjithmonë më dilnin para syve. Me kurajo të madhe i jepja vetes shpresën e shpëtimit dhe mbarimit të luftës”.

Dulla, siç i flasin shkurt besimin në Zot e ka të palëkundur, aq sa dhe besimin tek fuqia e mendjes, ku përsërit disa herë se ai e dinte që do shpëtonte. Kishte besim!

Më duket gati surreal gjithë ky besim, sidomos kur më tregon sesi i stivosnin trupat e atyre që kishin vdekur gjatë natës, në apelin e mëngjesit “katër kështu, katër kështu, kate-kate”, thotë, si të jetë duke folur për diçka krejt të zakonshme.

Pastaj të burgosurit duhet t’i çonin trupat në furrat e djegies, në krematorium. Askush nuk donte t’i çonte trupat e të vdekurve aty, por nazistët i impononin.

“Shihnim kufomat, furrat e djegies. Poshtë kishte qymyrguri dhe aty hynte njeriu. I kam parë vetë me sy”, thotë Abdullai, për dritare.net.

Por megjithatë, aty brenda kampit, afër furrave të djegies që lëshonin erën e mishit të njeriut që digjej përditë, pavarësisht karaktereve të ndryshme njerëzore, lojës që gjermanët bënin për t’i detyruar të rrihnin njëri-tjetrin, ekzistonte dashuria. Një dashuri njerëzore që mban gjallë shpresën për jetën.

“Mbaj mend dashurinë që kishim me njëri-tjetrin. Bisedonim për familjet. Dikush kishte babën, dikush nënën, motrat… I përmendim me njëri-tjetrin dhe i jepnim kurajo vetes se shpëtuam, jarebi. Vdekja ishte para sysh gjithë kohën”, kujton shqiptari i fundit që ështe ende gjallë, e që i mbijetoi çmendurisë së Hitlerit.

Më duhet të ngre zërin shpesh, në mënyrë që Adbullai të dëgjoj pyetjet e mia, por shpesh më ndihmon edhe nusja e djalit të tij, Aurela, e cila tashmë e di përmendësh historinë e vjehrrit të saj.

Ajo thotë se ai është shumë i fortë, me kurajo dhe kështu ka qenë gjithë jetën. Në fakt nuk është e vështirë për ta kuptuar këtë. Pavarësisht kusureve të moshës, ai çohet në këmbë kur hyra në shtëpi dhe më përcolli deri tek dera kur u largova. Thjesht, për të lëvizur kërkon ndihmën e djalit të tij, Mirit.

Aq sa i fortë, aq është dhe posesiv për kujtimet e tij. Kur i kërkova gjatë intervistës foto, më tha se ka disa albume të Mathausenit, për të cilat u ndjeva në faj që ia kërkova, pasi nuk lejoi t’ia sillte as nusja e as djali. U ngrit vet, shkoi në dhomë, gjeti kyçin, hapi sirtarin dhe më solli disa borshura ku ishin të dokumentura me foto horrori që kish mbetur pas nga Mauthausen.

Aty mbante dhe një shall, me vija blu e të bardha, që ia kishin dhënë në vitin 2005 kur kishte shkuar për herë të tretë në Mathausen, tashmë si veteran dhe i mbijetuar i ferrit hitlerian mbi tokë.

E pyes se përse ishin lakuriq në foto dhe më thotë se edhe kjo ishte një nga format psikologjike të torturës. Ndërsa nga uria hanin lëkura patatesh dhe qymyrdruri të butë, që Dullai thotë se kishte shije çokollate.

Krutani ka ruajtur me fanatizëm numrin origjinal që kishte në kamp. E ka të vendosur në një kornizë, me një fotografi të tijën në njërën prej vizitave të bëra në “Mathausen”.

Numrin ta thotë menjëherë përmendësh në gjermanisht dhe shqip 99 769. Me zë pak më të ulët pastaj të thotë “të hante dreqi po mos ta thoje gjermanisht”. Këtë numër ai nuk e ka harruar dot. Ndoshta nuk do të mundet, as kur të largohet nga kjo botë, në të cilën ka parë çmendurinë më të errët që mund të krijojë njeriu, po aq sa ka zbuluar dhe forcën e madhe tek vetja e tij. Një forcë, që të bën të reflektosh fort, mbi misterin e qënies njerëzore.

INTERVISTA

Zoti Abdulla, në cilin vit ju morën peng gjermanët?

Unë jam internuar në vitin 1943 dhe deri nga fundi i nëntorit kam qenë në burgun e Tiranës, me shokët Kozma Nushi, Talat Noka. Më pas na çuan në tokat e Jugosllavisë, në kampin e Zemunit, pastaj në Beograd ku kemi ndenjur nga 5 muaj në secilin vend. Pastaj na çuan në perëndim. Kur më kapën, isha partizan, në Pezë. Aty na kapën mua dhe shumë shokë të tjerë.

Me çfarë keni udhëtuar?

Në fillim na çuan me autokolonë, nga  Shqipëria në Zemun.

Ndërhyn nusja e djalit: Në makinë një gjerman i zgjati pak bukë, kurse ky e refuzoi duke i thënë se nuk i tradhtonte shokët.

Po pastaj?

Më vonë na çuan në Banicë të Beogradit, pastaj na çuan në Perëndim, në “Kampin e Përqëndrimit” i ashtuquajturi “Kampi i vdekjes”, në “Mauthausen”.

Sa djem shqiptarë ishin bashkë me ty kur shkuat në “Mauthausen”?

Gati nja 50 vetë.

(Foto familjare, Abdulla Krutani, me babain, motrat dhe vëllain)

Kë mban mend?

Në radhë të parë shoku im, vëllai i Gogo Nushit, Kozma Nushi, Telat Noka, Vasil Dushku, Taqo dhe Pandi Dhimo, Mihal Marto. Kisha shumë shokë, po me këta isha më afër.

Si ishte udhëtimi?

Nuk na jepnin ujë fare. Mbaj mend që binte shi dhe qitnim duart jashtë për të njomur buzët. Na kishin rrethuar me tela që mos të kishim mundësi të arratiseshim. Aty na vdiq një shok, gjatë udhëtimit Pandi Dhimo korçar, alamet djali. Vdiq për një pikë ujë.

Sa gjatë ju lanë pa ujë?

Katër ditë pa pirë ujë fare. Na i jepnim me kursim se mos iknim.

Sa prej jush u kthyet gjallë në Shqipëri?

Pak. Me mua u kthyem katër vetë.

Çfarë bënit brenda në kamp?

Kur hymë në kamp, isha bashkë me Kozma Nushin. Tabelat ishin të shkruara në gjermanisht dhe mua më tërhoqën vëmendjen se nuk e dija gjuhën. Pranë meje kisha një shokun tim, Vasil Dushkun dhe i them, “Vasil çfarë thotë parrulla këtu”. “Ah mor Abudlla, nuk ta them”, më tha. “Ma thuaj që ç’ke me të”, i thashë. “Ne kemi marrë parasysh çdo gjë”. “Po”, më tha, “ta tregoj unë, po mos  u trondit”. Parrulla thoshte: Kush hyn këtu, nuk del më. “Ne që kemi ardhur këtu hymë”, tha, “po për të dalë nuk i dihet”. E kam parasysh tani. Gjallë a vdekë kemi për të dalë, i thashë. Po kush do shpëtoj, do jemi dëshmitarë të këtij kampi, i vuajtjeve që heqim këtu.

Çfarë bënit brenda në kamp, çfarë bëje ti?

Unë punoja në galeri nëntokë me pistoleta, ‘brr brr”.( Në fakt në Mauthausen të burgosurit i detyronin me punë shumë të rëndë në gurore)

Sa orë punoje?

8 orë punonim.

Po pastaj?

Pastaj shkonim në kampin e fjetjes. Aty na jepnin darkën.

Çfarë ju jepnin për darkë?

Oriz dhe bukë, me pak margarinë dhe pak marmalatë. Mëngjes nuk na jepnin.

Ju vinte uri?

Uria nuk diskutohej. Por unë mendoja vetëm kurajo në vetvete. Do vijë një ditë që do të shpëtoj, thoja. Me të ërtetë vuajmë sot, por do të lind dielli i madh për ne, këtë u thoja dhe shokëve. Edhe lufta ishte luftë, kishte bombardime vazhdimisht.

Kishte shumë njerëz?

Me qindra-mijëra..

Sa nga këta njerëz mbetën gjallë?

Dita normale ishte apeli në mëngjes. Në orën 4 e gjysmë u bënte apeli. Edhe me rregull: Të gjithë jashtë ( e thotë në gjermanisht komandën). Kur dilnim jashtë ne, ata që kishin vdekur mbeteshin një këtu një atje. Vdekja ishte gjithë kohën para syve.

Si e përballove nga ana shpirtërore duke parë përditë njerëz që vdisnin?

Në radhë të parë njeriu duhet të ketë kurajo në vet. E dyta gjithmonë duhet ta mbajë mendjen tek e mira, jo tek e keqja.

Po ti ku e mbaje mendjen?

Tek familja në radhë të parë, tek nëna ime (përlotet zëri) vëllain, motrat. Gjithmonë më dilnin para syve. Me kurajo të madhe, i jepja vetes shpresën e shpëtimit dhe mbarimit të luftës. U interesonim me njëri-tjetrin, francezë, italianë, hungarezë, jugosllavë. Psh çdo kamp kishte formulën e vet. Ishin njerëzit të shkarthis. Çdo kombësi kishte shenjat e veta.

Çfarë numri kishe, e mban mend?

99 769 ( E thotë me zë të lartë shqip dhe gjermanisht)

Numri origjinal, që e ruan në kornizë, si më  poshtë.

Nuk e harron numrin?

Në mes të natës me më thënë në gjermanisht duhet ta thoje, se të hante dreqi.

Në kamp a kishte më të vegjël se ty në kamp?

Unë isha më i vogli, 17 vjeç.

Kishte fëmijë të tjerë aty?

Kishte raste kur lindin në kamp fëmijë të vegjël, nëna shtatzënë. I mbanin aty deri sa merrnin veten, pastaj i çonin në vende të ndryshme.

Shumica aty në kamp ishin rus dhe spanjoll.

 Nënat me fëmijë çfarë bënin?

Kishte punishte.

Njerëzit i vrisnin apo kryesisht vdisnin nga uria?

Shumica vdisnin nga uria. U bënte apeli në mëngjes ne që ishim mirë, merrnin katër vetë një të vdekur dhe i stivonim kufomat. I stivonim katër, kështu-katër -kështu,( bën me dorë kryqin si i stivonin trupat) me kate.

Po pastaj çfarë bëhej me njerëzit e vdekur?

I çonin në krematorium.

Ju i çonit aty trupat, apo ushtarët gjermanë?

Ne, na impononin.

Çfarë ke parë aty brenda?

Shihnim kufomat, furrat e djegies. Poshtë kishte qymyrguri dhe aty hynte njeriu. I kam parë vetë me sy.

Çfarë mendoje për veten kur shihje këto gjëra?

Zoti është një. Njeriu duhet të besoj tek fuqia madhore.

Besoje në Zot?

Kisha besim tek Zoti. Do vijë një ditë thoja që lufta do mbarojë dhe do të japin llogari këta kriminelë.

Ti ku e gjeje forcën dhe kurajën?

Tek truri im.  Do vijë dita që do të shpëtojmë, do të mbaroj lufta. Ne jemi dëshmitarë të së keqes dhe ashtu ndodhi.

Kur ju shpëtuan?

Kur erdhën amerikanët në vitin 1945 ishte kulmi i spastrimit të njerëzve në kamp. Shumica prej atyre që ishin futur brenda tashmë kishin vdekur. Me saktësi nuk mund të them, po kufoma-kufoma-kufoma shihnim çdo ditë. (Nusja e djalit të tij thekson se amerikanët i kërkuan të ikte në Amerikë por ai donte të kthehej në Shqipëri. “Më ktheni në atdhe”, u kishte thënë).

Si erdhët në Shqipëri?

Pasi mbaroi lufta kemi ndenjur gati 2 muaj të lirë derisa morëm veten. Ndenjëm në kamp, pastruam kampin me punë vullnetare. E bëmë xham. Ishte shpëtimi jonë i jetës.

Sa kile mund të peshoje kur ju shpëtuan amerikanët?

Ishim skelet fare. Do të të tregoj albumet e kampit.

Kur e pe që shpëtove, çfarë bëre?

Ahh. Gëzim më të madh nuk ka. Britmat në qiell shkonin se shpëtuam nga tmerri nazist.

Po tjetër çfarë mban mend?

Mbaj mend dashurinë që kishim me njëri-tjetrin edhe bisedonim për familjet. Dikush kishte babën, dikush nënën, motrat.. I përmendim me njëri-tjetrin. I jepnim kurajo vetes se shpëtuam, jarebi. Vdekja ishte para sysh.

Ndonjë nga shokët që që të vdiqën…

Kam sa të duash. Edhe ata i çuam në furrat e djegies.

Në kamp kishte ndonjë ushtar të mirë gjerman, më njerëzor?

Kishte. Kishte dhe të mirë. S’mund ta them që të gjithë ishin të këqinj. Gjermanët u bënë kriminel pa dashje. Ishte regjimi i Hitlerit që i bëri të tillë. Gjëra të këqija kam parë me sy. Kriminelat e kriminelave, na rrihnin. Detyronin dhe që të rrihnin njëri-tjetrin brenda në kamp.

Kur erdhët në Shqipëri ju kishte lënë njeri amanet për familjet?

Kam takuar shumë në ato vite kur e morën vesh që është kthyer Abdulla Krutani. Ishin nga Tirana, Kavaja, vlonjatë, korçarë, gjirokastritë, dibranë. Vinin dhe pyesnin “A e ke parë filan njeri”?

Nga ana shpirtërore, kur erdhe në Shqipëri si ndiheshe?

Një ëndërr e vërtetë moj zonjë. Kur kam hyrë në atdhe më 10 korrik 1945 erdha në Tiranë. U mbush oborri im plot. Nëna ime që është atje (tregon me dorë një fotografi në mur) Laje Krutani, erdhi në krahun tim edhe më pyet: Ije, më thuaj të drejtën sa vetë keni ardhur? Tani për  tani me grupin tim jemi katër vet që kemi ardhur, unë, Beqir Xhepa… Kur i thashë Beqir Xhepa, u hodh nëna përpjetë. Beqir Xhepa ka vdekur, tha. Nuk e besonte nëna se kishte ardhur i gjallë Beqiri. Ishte masdreke dhe nisem e shkoj tek shtëpia e Beqirit dhe shoh një grua që mbushte ujë me çikrik. Hyra brenda, 5-6 metra larg qëndrova. Pse rri aty? Po rri, I thashë kur të më thoni ju të afrohem. Kush je ti më tha? I thashë jam Adbulla Krutani, shoku i Beqir Xhepës. Më qit Beqirin. A je vërtetë Dull Krutani?, më tha. Po, i thashë. Bashkë me Beqirin jemi kthyer. Doli Beqiri dhe i thashë: Kush të ka bërë të vdekur ty? Ti je gjallë! Pa parë gjë me sy, Beqiri ka vdekur thonin. Kishte njerëz hipokrita…

Më vonë a kishe makthe, kujtime të këqija?

Patjetër. Gjumi natës nuk na zinte.

Pasi çdo gjë mbaroi, sa herë keni shkuar prap në “Mathausen”?

Kam shkuar 3 herë. Herën e parë në vitin 1969, pastaj në 1975 dhe në vitin 2005.

Kur kam shkuar më kujtoheshin shokët që kishn vdekur. Një mallëngjim i jashtëzakonshëm.

Çfarë përjetove tjetër?

Mallëngjim. Shihnim njëri-tjetrin, hungarez, spanjoll, rus, italianë a francez dhe përqafoheshim me ta.

Kur shkuam në vitin 1969 hapën kartelat tona. Unë isha me shokë të ambasadës. Hynë ata dhe pyetën; “Albanezi, sa vetë keni ardhur? Një. Thuaj, i thanë të vijë këtu. Ishte spanjoll kryetari i kartotekës. Nuk të gjëjmë numrin, më tha. Unë numrin e kisha në xhep.

Kur ia tregova ai u  habit. Po ti qenke ëngjëll, tha. Si e ke ruajtur këtë? Mua miliona të më japin nuk e dorëzoj numrim i thashë ( përsërit numrin 99 769)

Ndonjë gjë tjetër të kujtohet që do të ma thuash?

Rregullat e kampit. Njeriu duhet të jetë  i përmbajtur në vetvete. Brenda në kamp flisnim me shenja. Vaser-uji broder-buka…

Çfarë mendon tani kur dëgjon fjalën luftë?

Gjithë ato që kam kaluar dhe them mos ta shohim më luftën me sy. Të gjitha të këqijat i ka, të bën kriminelë me zor, a kupton?

Marrë dhe botuar fillimisht ekskluzivisht në Dritare.net.  

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *