Po për Skifterin, a ka kritika?

Pjesë nga romani i Shkëlqim Çelës, “Një zgjues për ty”

Papritur dera e lokalit u hap me vrundull dhe aty u fut një grup i vogël që sapo kishte dalë nga një pikë bastesh sportive ngjitur me lokalin. E kuptuan saora që ishin pak me vonesë dhe u tulatën duke hequr kasketat nga koka. Sytë e audiencës i panë me një qortim të bezdisur. Pastaj vëmendja u përqendrua përsëri tek tryeza e rezervuar. Ndihmësi pati ndjesinë e një zbulimi: vëmendja e gjindjes ishte një sasi e fundme dhe kalonte nga një përqendrim në tjetrin si lëngu përmes enëve komunikuese. Për një grimë kohe vëmendjen e merr edhe një derë që përplaset fort, tha me vete. Ajo që ka rëndësi është ndryshimi. Ndaj duhet menduar për përdorime të reja zgjuesish, pasi ajo çka shqisat tona perceptojnë, është ndryshimi, krahasimi me diçka tjetër apo gjendje të mëparshme. Dhe kjo përbën edhe thelbin e kohës, e cila është para. U krenua për veten që arrinte të mendonte të tilla gjëra në një qebaptore. Me siguri ishte i vetmi aty që bluante kësi mendimesh. Të tjerët po bëheshin gati të përthitheshin prapë prej Skifterit, me ngashnjimin pas modelit dhe jo materies së suksesit, ngashnjim i cili nuk është gjë tjetër vetëm se zili e fermentuar në një tjetër produkt, më të pranueshëm për qenien, si ca gjellë të pardjeshme, të cilat shijojnë më shumë po edhe nuk janë prishur ndërkaq. Me siguri kushdo që e njihte Skifterin prej kohësh, pra para se të bëhej një emër, e kishte zili dhe si zor ta pranonte suksesin e tij. Në atë lokal nuk duhej të kishte fare të tillë, njerëz me njohje para, kur Skifteri ishte një zogth i kurrfartë në shpurën shpezore me synimin për cicërima dhe flatrime të spikatura. Thjesht sepse Skifteri do t’u kujtonte atyre dështimin e tyre, atë që ata nuk u bënë dot. Në atë qebatore të përbrendshmesh duhej të kishte ekskluzivisht njerëz që Skifterin e njihnin veç si të ndryshmin prej tyre, dhe kur vetja bëhet bazë krahasimi, benchmarku i famshëm, atëherë ka vend vetëm për përbuzje ose venerim, varësisht nga statusi i tjetrit. Për Skifterin kjo e dyta ishte e qartë, mjaft të shikoje heshtjen që pasonte fjalët e tij. Ajo qetësi ishte medium i duhur në të cilin gjithkush e teleportonte veten e vet tek tryeza e rezervuar duke folur, dhënë mend dhe lexuar krijimin e fundit. Pas heshtjes që iu duk si e mjaftë për meditimin e radhës, Skifteri më në fund tha:

– Kaq për këtë.

Ndihmësi pa vetëdije nguli pirunin në pjatën para tij dhe futi në gojë kërnackën më të afërt. Të ndenjurit “tryezë më tryezë me popullin” krijues: kjo mund të ishte fare mirë tema e tij në mbledhjen e radhës me stafin kryesor të korporatës. Ndërkaq Skifteri qëndronte ulur në tryezën e tij të rezervuar. Përpara i kishin vënë një shishe verë dhe një gotë, të cilën e mbushi me kujdes. Nxori një tjetër letër nga xhepi, e lexoi një herë me vete duke i dhënë fytyrës pamjen e shijuesit profesional në qiellzën e shtatë, pastaj recitoi ngadalë:

 

Një lejlek, jele e kthyer mbrapsht

Nuk e sjell pranverën.

Lulet e sjellin…

 

Kjo e pushtoi përfundimisht audiencën. Fjalë kaq të zakonshme, lejlek, pranverë, lule, që i përdorte gjithsecili nga njëzet herë në ditë, lidheshin asisoji saqë shndërroheshin në gurë kilometrikë në udhën e gjatë të poezisë. Me siguri të gjithë po mendonin se si pas tridhjetë a dyzet vjetësh do të thoshin me mburrje ontologjike se kishin qenë të pranishëm kur “Lejleku” ishte recituar për herë të parë nga Skifteri. “Unë isha atje, kur…” – pak fraza përçonin krenari sa kjo. Gjithkush po stërpikej qysh tani nga lavdia e ardhshme.

Pikërisht kur po i vinte radha thirrjes për encore, një tjetër zë u dëgjua, kakofonik, gërricës përmbi xhamin e përgjithshëm të admirimit:

– Kjo është “kitsch”, “kitsch”, “kiiitsch”!

Klithma erdhi pikërisht nga grupi i ardhur vonë, mesa dukej konkurrentë të Skifterit. Tre-katër nga të pranishmit u dhanë sakaq përpara bërtitësit të gatshëm për ndërhyrje, me gjokset e nxjerrë përpara, truproja të përsosura për poezinë e vërtetë. Një rrëmujë e vogël pasoi. Njëri nga ata e kishte marrë vesh gabim klithmën e provokatorit, pasi shkrofëtinte vazhdimisht:

– Skiçi i satëme!

Më në fund grupin diversionist e nxorën jashtë. Skifteri kishte ndenjur gjithë kohën i palëvizur. Një buzëqeshje mundohej të mos dilte nga strofkullat e nofullave të tij, sikur t’i trembej të ftohtit përjashta. Edhe pak dhe ajo fytyrë do të bëhej metalike. Ishte bronzi i mirëkuptimit dhe zemërgjerit.

Një zë i njohur erdhi që nga tryeza fqinje: – E dëgjove si tha? Skiç!

Ndihmësi ktheu vrulltas kokën. Ishte ai që i thoshin Zgalem.

– Në të vërtetë tha “kitsch”, – u përgjegj me zë të butë.

– Ah, – ia bëri tjetri. – Kiç, direk, velë, ç’rëndësi ka! Mirë që i flakën përjashta.

Ndihmësi pohoi me kokë.

– Më pëlqen solidariteti i poetëve, – tha. – Jam i befasuar.

– Jo të gjithë këtu jemi poetë, – tha Zgalemi. – Mos shiko tryezën tonë.

Ndihmësi buzëqeshi si ai që kupton se sa fat ka patur:

– Po ç’janë?

– Një pjesë e madhe ushtrojnë kritikën letrare. Vijnë nga krahina e Bubullimasit. Ne nuk ua shtiem në sy, por të gjithë kritikët janë poetë të dështuar dikur.

– Shiko, shiko, – tha Ndihmësi.

– Po. Lëngu zgjues bën vërtet çudira, por kërkon edhe njeriun e duhur, – vazhdoi Zgalemi duke i rënë gjoksit të vet në pjesën e fundit të fjalisë.

Buzëqeshja dhe miratimi i Ndihmësit u bënë edhe më të plota.

– Ç’lloj kritike bëjnë?

– Oh, të gjitha zhanret. Janë të specializuar. E shikon atë tryezën ndanë dritares?

Ndimësi pohoi me kokë.

– Janë nga grupi xhenerik edhe elektricist i haikuve. Për kritikën e tyre janë të specializuar ata të tjerët që janë ulur në tryezën e parë pas banakut.

– Shiko, shiko.

– Po.

– Po për Skifterin, a ka kritika?

– Sigurisht. Vetëm javën që shkoi janë botuar katër artikuj. Njëri prej tyre, me titull “Kush e urren Skifterin?”, do të diskutohet sot këtu.

Ndihmësi ishte gati të vinte bast se e kish parë diku atë titull dhe i kish bërë përshtypje ë-ja fundore në foljen “urren”. Ajo “ë” vrastare në titullin “Kush e urrenë Skifterin?” e kishte dokëndisur për orë të tëra si një urth i keq.

Kur Ndihmësi doli nga qebaptorja, përjashta kishte rënë nata. Kishte qenë një mbrëmje e mbushur dhe aspak e mërzitshme siç kishte pritur në fillim. Falë Zgalemit kishte marrë vesh tërë grupimet dhe fraksionet, hasetet e fshehta, aleancat, dhe mbi të gjitha, lëngjet që përdornin. Konstatoi se kishte një lënie pas dore prej korporatës të lëngjeve për kritikë letrare, tregtimi i të cilëve duhej revolucionarizuar. Kishte vetëm një lloj të përgjithshëm, me emrin aq të thatë “Zgjoje kritikun”, ndërkohë që tregu dukej ashiqare që kërkonte specializim. Kjo do të ishte kryetema në mbledhjen më të afërt me stafin e lartë të korporatës, por natyrisht biseda e parë duhej bërë me Xhemin. Nxori letrën e shënimeve nga xhepi ku kishte shkruar gjithë pikat kryesore të problemeve nga baza. Midis tyre shqoi edhe një pikë, që s’po i kujtohej nga e kish nxjerrë: “Trokit e zgjo, sikur ta bëje dot”. Një tjetër ide për promovim lëngu.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *