Një roman që i bën nder letërsisë shqipe

“Një fije shprese, një fije shkrepëse”, romani ose dokuromani , siç parapëlqen ta quajë autori i tij Ag Apolloni, është ndër veprat e fundit, në mos e fundit, e imja si botuese e Skanderbeg Books. Nga tani e tutje kolanat, veprat dhe autorët e tij do t’i drejtojë dikush tjetër. Nga fati a nga valë që nuk e dimë se si na e drejtojnë fatin, jam e lumtur ta mbyll këtë ndërkohë të jetës sime me një autor kaq të talentuar sa Ag Apolloni.
“Një fije shprese, një fije shkrepëse”, i sapobotuar nga Skanderbeg Books, është botimi për Shqipëri i një prej romaneve më të bukur të shkruar për luftën e fundit në Kosovë. Ag Apolloni do të jetë përgjatë shtatorit në një takim me lexuesit në Shqipëri në një mbrëmje kushtuar letërsisë, kujtimeve, forcës së nënave që kanë humbur djemtë në luftë. Në sfondin e debateve të mëdha politike të kohës, romani merr një peshë edhe më të madhe, duke na kujtuar se çfarë na ka kushtuar Liria.
“Një fije shprese, nje fije shkrepëse”, tani në të gjitha libraritë e Shqipërisë. Çmimi 700 lekë.
Mos e lini pa lexuar, Miqtë e mi, nuk do të pendoheni!
Nga ballina e pasme:
Nuk ndodh shpesh, por, ja, ndodh, që studiuesi i shquar i letërsisë të bëhet edhe krijues i shquar i letërsisë. Studiues i risive të letërsisë shqipe, Ag Apolloni, në romanin e tij të ri “Një fije shprese, një fije shkrepëse” u dëshmua krijues i shquar i letërsisë shqipe, u dëshmua shkrimtar i risive.
Rexhep Qosja
Tani shtëpia e saj, nënë Ferdonijes, është një nga muzetë më të çuditshëm në botë, pasi është muzeu i mungesës. Të tjera nëna në Kosovën e pasluftës, të cilat kanë humbur të bijtë në beteja, mu si nëna Ferdonija, i kanë kthyer jetët e tyre në muze. Ecja e Pashkës si ecja e Demetrës dhe endja e Ferdonijes si endja e Niobës, në të martat dhe të shtunat e tyre epike tek përsëriten në pendulin tragjik të kohës, janë dëshmi të një fati që bota risjell tragjikisht. Ky tekst i Ag Apollonit, i shenjur si dokuroman, është ndër librat më të bukur të shkruar në shqip për luftën e fundit në Kosovë. Përtej dëshmisë dhe prapakthimeve që vijnë prej kujtimeve, është një rrëfim me intensitet të lartë shkrimor dhe estetikë të tillë që e bën tmerrin shtangës.
Flutura Açka
Romani i Ag Apollonit është njëkohësisht muze i të gjithë neve, ekspozitë artistike me tablo tmerri, dramë në vete, arkiv historik. Mbi të gjitha, është një vepër e jashtëzakonshme artistike.Blerim Shala


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *