Ndërtesa e TKOB u çel! Po Teatri?

Kozeta Kurti
Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit e Ansamblit Popullor, u çel pasditen e kaluar, në një ceremoni protokollare që për herë të parë, ndoshta në planet, zgjati tri orë.
Ndërtesa e Teatrit të restauruar çeli dyert dhe ky, për mua, është lajmi më i mirë, me shpresën që do të hapet edhe perdja, për të parë prej vërteti një shfaqje të Teatrit muzikor. E theksoj: ndërtesa e Teatrit çeli dyert, Teatri vetë JO!
Duke qenë për disa muaj pjesë e stafit të administratës të TKOBAP-së, e kam pasur fatin ta shoh rezultatin (jo procesin) e transformimit rrënjësor të godinës, nga një banjë e stërmadhe publike, në një stoli në mes të kryeqytetit, me skenë e mjedise ndihmëse, ashtu siç artistët e trupave dhe spektatorët e meritojnë.
… por mbrëmë ndjeva veç fuqinë e infrastrukturës, jo të përmbajtjes. Do të doja të shihja fuqinë e skenës, show-n e ndryshimit të skenografive, por jo! Në vend të tyre, pashë një “Opera në jeans”, një “Këngë Magjike” një Festival Kënge të Dhjetorit, një koncert të Alban Skënderajt etj. Teknologjia e led wall-eve është përqafuar prej të gjithëve, por Teatri i Operës dhe Baletit s’mund të jetë një studio televizive, aq më pak një skenë koncerti, sado të përvidhesh e të gjesh shpëtim tek koncepti dhe termi “gala”. Shkurt, rihapjes së Teatrit, nuk i duhej një gala!
Ndërtesa gati-gati tërësisht e re, u inagurua me pjesë të para, të ripara, të stërpara!
Përmbajtja në një institucion të prodhimit të artit, është arti… Me këtë nuk dua të them (qoftë larg) që pjesët e zgjedhura në program nuk përbëjnë art, por investimi më i madh i të gjitha kohërave në një institucion arti në Shqipëri, i trumbetuar me të drejtë “i ri, i ri” meritonte gjithashtu një përmbajtje të re. Në katër vjet, siç u bënë mure (dhe jo vetëm, po nuk e njoh gjuhën e ndërtimit dhe rikonstruksionit) të rinj, një opera e re mund të qe shkruar nga fillimi, nëse kompozitorëve do t’u propozohej një thirrje që ditën që dolën nga godina thasët me mbeturina. Mjafton t’u hedhim një sy disa prej titujve më të vendosur në repertorët botërorë, për t’u bindur se nuk janë përralla e ëndrra në diell këto konstatime. (Mozart: “Flauti magjik” nisi kompozimin fillim maj 1791, premierë shtator i të njëjtit vit; Rossini: “Berberi i Seviljes” nisi të kompozojë në dhjetor 1815, premierë në shkurt 1816; Donizetti : “Lucia di Lammermoor”, një vepër komplekse, nisi në qershor 1835 dhe premiera në shtator të të njëjtit vit. Verdi, Puccini e Wagneri merrnin më shumë kohë, një a dy vjet).
Opera e parë shqiptare mund të ishte rindërtuar gjithashtu, me ndërhyrjet e nevojshme në libret, për ta bërë më bashkëkohore.
Në fund të fundit, pse duhej? Se mos kishte spektatorë në sallë…Kishte politikanë, drejtues dhe vipa, pjesa më e madhe e të cilëve as ka qenë ndonjëherë, as nuk do të kthehet më kurrë aty. Mjafton të kujtosh reagimin e tyre me duatrokitje të parakohshme për të kuptuar sa e njohin atë që panë e dëgjuan.
Harrova t’ju them se TKOBAP u çel me një dokumentar, ku më pak propagandë nga të gjithë bënë njerëzit e politikës.
Përsa i përket artistëve, ata nuk dinë (me të drejtë) të përcjellin emocion kur nuk e kanë, ndaj “trajnimi” i shumicës së tyre në ligjëratë, ishte më shumë se i dukshëm.
…. Por sidoqoftë Teatri u hap; për trupat, për prapavijën dhe për spektatorin: atë PREJ VËRTETI!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *