Kur fiken dritat, mbeten si enë të zbrazura

Nga Jonida Hitoveizi

Që budallallëku njerëzor është i pafundmë mund ta pranojmë si një nga aksiomat absolute të shkencëtarit të relativitet, Albert Ajnshtajn. Shpesh kemi menduar se kemi parë gjithçka prej personazheve tona të ekranit, nga nxitja e dhunës tek ekzagjerimi, fjalori ordiner, fytyrat e fryra e të ngrira nga përdorimi ekstrem i botoksit, niveli i ulët i trajtimit të temave, mungesa e empatisë, mungesa e përgatitjes, por së fundmi duhet të shihnim edhe sesi një moderatore në një nga televizonet më të mëdha në vend, na dhuron një shfaqje groteske në varreza.

Një “shou” mbi qivurin e dikujt që ka ndërruar jetë duke u ngërdheshur dhe duke i treguar të treturës, që nuk sheh e dëgjon dot, sesa para vlen fytyra e saj. Goxha sfidë!

Se cili ka qenë qëllimi i realizimit të këtij materiali, që për të qeshur bën vetëm protagonistët e saj, nuk do të mund ta kuptojmë dot, ndoshta sepse një pjesë e madhe prej nesh nuk ka humbur ende ca norma njerëzore që të gajasemi me një humor të tillë më të zi se zija. Një person që ka famë, ka një emision, që ndoshta merret si shembull suksesi nga të rinj që lakmojnë televizonin e famën, në ekstazë nga të gjitha këto, vendos të na dhurojë një shfaqje neveritëse si “the fucking famous” që është.

Përmbajtja e videos nuk është fyese vetëm pse ndodh në vendprehjen e fundit të një personi, aq më keq i afërt i saj, por mbi të gjitha për një përdhosje të disa normave që shoqëria njerëzore i ruan ende. Disa akte të caktuara e ndajnë njeriun prej kafshës dhe instikteve të tij të trashëguara nga majmuni.

Nuk është nevoja të ndalemi e të bëjmë leksione sesi duhet të sillemi kur shkojmë në varreza, secili shkon sipas dhimbjes e kujtimeve të veta. E rëndësishme është të mos kthehemi në epokën e shpellave dhe të sillemi si kacavjerrës me banane në dorë, që në këtë rast është zëvendësuar nga një smartphone i fundit.

Personave të tillë, të cilëve ju besohen formate të suksesshme në televizion, para se t’u dhurohet gjithë ajo infrastrukturë, mirë është t’u bëhet edhe ndonjë test personaliteti. Shumë prej tyre kur fiken dritat, para së cilave ligjërojnë për edukim, vlera apo argëtim, janë as më pak e as më shumë se sa thjesht enë të zbrazura, të cilat nuk ka famë që i mbush!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *