Kryepeshkopi Anastas përkujton Nolin

FB_IMG_14521398349266 janari ka shënuar përvjetorin e lindjes së Fan Nolit. Veç Muzeut Historik Kombëtar, datëlindjen e tij e ka përkujtuar edhe Kryepeshkopi Anastas Janullatos. Përmes një postimi në faqen e Kishës Ortodokse njoftohet se kryepeshkopi Anastas në Liturgjinë hyjnore të ditës së djeshme (6 janar) në katedralen Ngjallja e Krishtit, kujtoi edhe Imzot Theofan Nolin. Sipas njoftimit, emri i Nolit u kremtua në të kremten e djeshme të Theofanisë. “Kontributi i tij i madh për Kishën Ortodokse të Shqipërisë mbetet tepër i rëndësishëm sidomos në fushën e përkthimeve të teksteve liturgjike, shumë prej të cilave vazhdojnë të përdoren edhe sot. I përjetshëm kujtimi!”- thuhet në postim.
Pak ditë më parë ndaj kryepeshkopit të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare pati kritika për meshën e mbajtur në gjuhën greke, ndërsa është përfolur shpesh për mungesë respekti ndaj Nolit.

Fan Stilian Noli (6 janar 1882 – 13 mars 1965) ka qenë burrë shteti, atdhetar demokrat, klerik i lartë, poet, përkthyes, publicist, dijetar, historian e muzikolog. Është një nga figurat më të ndritura të kombit tonë.
Ai lindi në Ibrik Tepe në Edirne (Turqi), ku përfundoi dhe shkollën e mesme. Më 1904 shkoi në Egjipt, ku punoi si mësues e gjatë kësaj kohe u njoh me patriotë të shquar të kolonisë shqiptare të Egjiptit. Atëkohë përktheu në greqisht veprën e Sami Frashërit “Shqipëria ç`ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet”. Më 1907, pas vajtjes së tij në Amerikë, krijoi shoqërinë “Besa-besë” në Boston.
Më 9 shkurt 1908 , Fan Noli u dorëzua dhjak dhe në mars 1908, kryeprifti ortodoks i Nju Jorkut e shuguroi prift ortodoks. Disa ditë më pas, Noli mbajti liturgji në gjuhën shqipe për herë të parë në Boston. Në korrik 1919, Noli u zgjodh Peshkop i Kishës Ortodokse Shqiptare në Amerikë. Përpjekjet e Nolit për një kishë kombëtare shqiptare, u përmbushën më 1937, kur Patriarkana e Stambollit njohu zyrtarisht Kishën Ortodokse Shqiptare Autoqefale.
Nga viti 1909 deri më 1911 botoi gazetën “Dielli” dhe së bashkë me Faik Konicën themeloi më 1912 Federatën Panshqiptare Vatra të Amerikës. Në vitin 1912 përfundoi studimet e larta në fakultetin e filozofisë në Universitetin e Harvardit dhe vite më vonë, më 1938 mbaroi studimet e larta në Konservatorin e Muzikës së Bostonit. Në vitin 1920 Noli u zgjodh kryetar i delegacionit shqiptar në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë, ku nëpërmjet antarsimit të Shqipërisë në këtë lidhje, Shqipëria mori një njohje ndërkombëtare. Në 1921 ai botoi veprën e rëndësishme “Historia e Skënderbeut”. Në qershor 1924, Fan Noli u bë figurë udhëheqëse në luftën për shndërrime demokratike në shoqërinë shqiptare. Me fitoren e Lëvizjes së Qershorit (1924), u vu në krye të qeverisë demokratike si kryeministër për një periudhë 6-mujore.
Përveç veprimtarisë shumë të rëndësishme politike, poetike e publicistike, gjatë këtij dhjetëvjeçari Noli përktheu tragjeditë e Shekspirit, Rubairat e Omar Khajamit, romanin “Don Kishoti” të Servantesit etj. Fan Noli u shua më 13 mars 1965 në Ford Laurderdale, Florida të SHBA-së.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *