Jemi të imunizuar! Sipas Akademisë së Shkencave, 73,3% e popullsisë së moshës 20-75 vjeç ka anti-trupa ndajSars-Cov2

Akademia e Shkencave të Shqipërisë ka bërë publike rezultatet e një studimi të kryer te 1500 qytetarë të Tiranës mbi imunizimin nga koronavirusi.

Sipas përfundimeve të Akademisë së Shkencave, i cili është kryer në grupmoshën nga 20 deri në 75 vjeç, 73,3% e popullsisë janë të imunizuar.

Akademia hedh për diskutim nevojën e një doze të tretë përforcuese të vaksinës në moshat mbi 60 vjeç, si dhe në ata me sëmundje shoqëruese imunodeprimuese. Po ashtu, Akademia bën thirrje të planifikohet dhe rekomandohet vaksinimi i të rinjve mbi moshën 12 vjeç me vaksina të miratuara për këto mosha.

“Testimi serologjik, i cili përcakton antitrupat e pranishëm në gjak ndaj virusit SARS-CoV-2 është një ekzaminim që jep informacion të vlefshëm mbi shkallën e imunizimit specifik të popullatës në ecurinë e Pandemisë nga COVID-19.

Qendra Kërkimore e Imunologjisë dhe Imunogjenetikës pranë Njësisë së Bioteknologjisë dhe Gjenetikës së Akademisë së Shkencave ka monitoruar që në 6-mujorin e parë të Pandemisë nivelin e seroprevalences se antitrupave anti SARS-CoV-2 në popullatën shqiptare. Në të tria fazat e studimit të seroprevalencës në një kampion sinjifikativ të popullatës urbane të Qytetin e Tiranës, u aplikua e njëjta metodologji.

Në Fazën e tretë të studimit që filloi më 16 qershor 2021 deri 23 korrik 2021 u thirrën për testim 1527 banorë të moshës 20 deri 75 vjeç, të cilët u përzgjodhën në mënyrë krejt të rastësishme nga listat e regjistrave të mjekëve të familjes. Seroprevalenca e përgjithshme e antitrupave IgG specifike anti S1-SARS-CoV-2 rezultoi 73.3%. Sipas të gjitha gjasave, kjo përqindje pasqyron gjendjen imunitare të popullatës shqiptare pas valës se tretë të COVID-19 që u shkaktua nga variant Alfa dhe përpara valës aktuale Delta.

Nga kjo mund të konkludojmë se aktualisht nevojitet një imunizim i shpejtë vaksinal i të paktën 20% të popullatës shqiptare akoma të pavaksinuar me qëllim arritjen e pragut të ri të imunitetit kolektiv që vlerësohet në rreth 90% të popullatës për variantin Delta.

Për të parandaluar riinfektimet te individët e vaksinuar apo që e kanë kaluar infeksionin mbi 6 muaj përpara, diskutohet kryerja e një doze përforcuese vaksine në moshat mbi 60 vjeç, si dhe në ata me sëmundje shoqëruese imunodeprimuese. Kjo është në përputhje me rekomandimet aktuale shkencore ndërkombëtare.

Gjithashtu, të planifikohet dhe rekomandohet vaksinimi i të rinjve mbi moshën 12 vjeç me vaksina të miratura për këto mosha. Siç sugjerojnë të dhënat e fundit shkencore, një dozë e vetme vaksine në këto mosha duhet të jetë e mjaftueshme për parandalimin e përhapjes së infeksionit COVID-19 nëpër klasat shkollore.

Vaksinimi i të rinjve mbi 12 vjeç t’u rekomandohet prindërve vetëm për ata të rinj që nuk e kanë kaluar infeksionin dhe sidomos për ata që kanë sëmundje shoqëruese kronike”, thuhet në njoftimin e Akademisë së Shkencave

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *