Intervista e fundit e Xhon Lenon tri ditë përpara vdekjes, ku fliste për të ardhmen

Xhon Lenon fatkeqësisht vdiq herët, kur ishte vetëm 40 vjeç, por vetëm tri ditë para, në intervistën e tij të fundit për “Rolling Stone,” ai foli rreth të ardhmes, planeve të tij si edhe për paparashikueshmërinë e jetës.

A jeni duke planifikuar me Jokon të mos grindeni më në public dhe ndoshta të një turne tjetër?

Nuk e di, ndoshta. Mund të jetë interesante. Na përfytyron dot tani me këngët e reja… sikur të performonim edhe disa nga pjesët e hershme të Jokos, si “Don’t Worry, Kyoko,” apo “Open Your Box” ose “Why” nga albumi “Plastic Ono?” Do të dëgjohej vetëm zëri i saj, kitarra ime, basi dhe bateria. Kam dëgjuar pjesë të ngjashme nga disa prej grupeve të tanishme..

Kështu që, edhe mund ta realizojmë. Megjithatë, nuk do të ketë efekte tymuese, buzëkuq apo drita. Duhet të jetë diçka e thjeshtë dhe e rehatshme. Argëtuese njëkohësisht. Jemi të dy rokerë të rilindur dhe po ja nisim nga e para.

Ndoshta mund të nisni edhe një emission televiziv, si “The Captain & Tennille.”

Sigurisht, Xhon dhe Joko mund ta realizojnë dikur. Është diçka që e diskutojmë shpesh. Por, ka kohë, apo jo? Ka mjaftueshëm kohë. Për momentin jemi këtu, duke folur me Jonathan Cott për “Rolling Stone”… Dhe do të ishte bukur sikur të dilnim në kopertinë. Pak a shumë të nisnim vitin 1981 sikur të qe 1961-shi.

Look out, kid/It’s something you did/God knows when/But you’re doin’ it again.

E drejtë. Por, kush do të harrohet më së pari – Lenon apo “Rolling Stone?” Kush mendon se do të jetojë më gjatë? “Life,” “Time,” “Newsweek,” “Playboy,” “Rolling Stone?” Revistat vijnë dhe ikin ashtu si drejtuesit e studiove muzikore apo producentët e filmave. Edhe vetë artistët s’janë veçse të përkohshëm. Kjo është jeta!

Albumi i fundit që realizova para “Double Fantasy” ishte “Rock ‘N’ Roll. Në kopertinë ishte fotografia ime në Hamburg me një xhaketë lëkure. Në fund të atij albumi isha duke përfunduar një këngë, të cilën ma pati kërkuar Fil Spektor. Titullohej “Just Because,” dhe nuk e njihja siç duhej. Gjithë këngët e tjera i kisha shkruar në adoleshencë dhe i njihja mbarë e prapë.

Xhon Lenon tha:

Megjithatë, nuk po arrija ta zotëroja. Në fund të albumit thashë si padashur, “Dhe tani ju themi lamtumirë nga ‘Record Plant,’” por befas mendova, “Vallë po them vërtet lamtumirë?” Nuk e kisha menduar gjatë. Atëherë ishim ende të ndarë me Jokon dhe nuk kishim fëmijë, por vazhdimisht dëgjoja një zë tek më thoshte, “Vërtet po i jep lamtumirën gjithçkaje?”

Ishte diçka e pamenduar, e thënë në mënyrë krejt të pavullnetshme. Vetëm disa kohë më pas do ta mendoja sërish. Nuk kisha asnjë plan apo qëllim atëherë, por atëherë po thosha vërtetë lamtumirë, pasi sapo kisha përfunduar këngën e fundit të albumit dhe isha i lumtur për këtë.

E njëjta gjë më ndodhi me një astrolog në Angli, i cili më tha se nuk do të jetoja aty. Thuajse e harrova deri në momentin kur isha në procesin e emigrimit këtu në SHBA. Vetëm atëherë mendova “Po ç’dreqin dua këtu? Përse po e kaloj gjithë këtë vështirësi?”

Lenon gjithashtu tha:

Nuk e kisha ndër mend të jetoja këtu, por ja që ndodhi. Nuk bëra asnjë përgatitje, gjithçka e lamë në shtëpinë tonë në Angli duke menduar se po vinim për një vizitë të shkurtër. Në fund, nuk u kthyem më kurrë në Angli.

M’u desh të dilja në gjyq, pasi njerëzit thoshin se nuk e meritoja të qëndroja në SHBA, pasi isha komunist. Atëherë mendova, “Përse po i hyj kësaj rruge?” Menjëherë m’u kujtua astrologu në Londër, i cili më pati thënë se një ditë do të jetoja jashtë.

U fol se e lashë Anglinë për shkak të taksave, por nuk është e vërtetë. Nuk kam përfituar asgjë nga shpërngulja ime këtu. Vetëm kam humbur. Nuk kisha kurrfarë arsyeje të largohesha nga Anglia.

Nuk bëj pjesë tek njerëzit që kërkojnë vende me diell, si shumica e Anglezëve, të cilët zgjedhin të jetojnë në jug të Francës, Maltë, Spanjë apo Portugali. Xhorxh ishte i tillë, por unë jo.

“Here Comes the Sun.”

Xhorxh është gjithmonë në kërkim të diellit, por kjo sepse ai jeton ende në Angli. Atëherë, befas u kujtova, “Zot, ai tipi parashikoi që do të largohesha nga Anglia.” Megjithatë, kur ma tha mendova se po tallej.

Ndonjëherë pyes veten. Dua të them, është e vërtetë që realiteti varet nga ne dhe nga zgjedhjet që bëjmë, por sa përqind e jetës është e paracaktuar?

A bigëzohet gjithmonë rrugëtimi i jetës në dy shtigje njëtrajtësisht të paracaktuara? Mund të ketë me qindra shtigje nga të cilat mund të zgjedhim, por mbetet e çuditshme. Duket si fundi i duhur për këtë intervistë. Mirupafshim, herën tjetër,” tha Xhon Lenon./gazetapasqyre.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *