Imam-bajalldi mediatike, e sëmurët këtë popull!

Ledi Shamku-Shkreli

“Vrau, shau, ngau, rrahu…
Dunoi, ngacmoi, tmerroi, kërcënoi, shantazhoi…
Vodhi, plagosi, rrëmbeu, përplasi…

Ore mjaft! Mjaft ore mjaft! Se e sëmurët këtë popull! Ore, ndodhin edhe gjëra të mira në këtë vend!!! Ndodhin përditë.
Lindin shqiptarë përditë! Mjekët shpëtojnë jetë përditë dhe nuk ka veç mjekë moskokëçarës e të korruptuar – pse na bëkan lajm veç këta?!
Pedagogë e mësues mbjellin dije përditë, dhe s’ka veç matufa e të pazot – pse na bëkan lajm veç këta?!
Familje të reja krijohen përditë, nuk martohen e ndahen e rimartohen veç vipat!
Njerëzit e punës pastrojnë qytete përditë, pjekin bukën e përditshme përditë, ndihmojnë të tjerët përditë, bëjnë shkencën e tyre (të vogël e të madhe) përditë, ngrohin shpirtra e rrisin besim përditë, luajnë e shkruajnë muzikë (e jo veç tallava) përditë, gërmojnë arkiva përditë e qëllon ditë që edhe nxjerrin vlera, drejtojnë trafikun përditë, ruajnë jetë përditë, planifikojnë të përditshmen e bizneseve të tyre përditë, ngrenë ura kulturash çdo ditë e përditë!
Ore mjaft se nuk prodhon veç helm e vrer jeta në këtë vend! Mjaft me këtë imam-bajalldi mediatike! Që e kultivon përditë audiencën mbi të vrazhdën, të tmerrshmen, të keqen e fatkeqen!
Jepuni njerëzve edhe lajmet e mira, qofshin të vogla e të thjeshta, po jepjani! Se të këqijat e dij që nuk do t’ju shpëtojnë pa ja dhënë.
Mendojeni pak, mendojeni më gjatë, se me dashje a padashje, po plehëroni të keqen në shpirtrat dhe ndjesitë e shqiptarëve!
Mos e egërsoni shpirtin kombëtar më tepër saç është i egër vetiu!
Mehr licht! Mehr licht!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *