Erosi dhe Viktor Hygo

received_10154007488617044

Luan Rama

Ekspozita e këtyre ditëve në Paris “Erosi dhe Hygo – nga timiditeti te eksesi”, në shtëpinë ku banonte dikur Viktor Hygo, në Place de Vosges, dy hapa nga Sena, ka në thelb diçka që na çon nga erosi te jeta e shkrimtarit të madh, duke anashkaluar pranë shumë veprave të tjera arti kushtuar erosit, nga Roden te Kurbe, nga Korot te Ingres, e shumë të tjerë, të cilat sëbashku na fusin në një epokë ku Hygo përjetoi një jetë të dytë, atë midis botës femërore. Pra, pikërisht në këtë shtëpi-muze, pavarëisht nga tallazet ep olitikës dhe të revolucioneve, ka jetuar një Hygo ndryshe nga ai i rinisë dhe viteve të parë të martesës, një Hygo tjetër, i cili nga jeta e përmbajtur por pasionante, kaloi në dashurinë e tij të përjetshme me Zhyliet Druot, ku si në një afresk gjigand do të shkëlqenin takimet dhe flirtet e tij të rastësishme dhe të panumurta, zbuluar pas vdekjes së tij. Autori i romaneve të famshme Të mjerët, Notre Dame e Parisit, Viti 93, Njeriu që qesh e shumë të tjerë, ishte një dashnor me një vitalitet të jashtëzakonshëm seksual. “Ajo çka quajmë passion, voluptet, jetë libertine e thjesht seksi, – shkruante ai, – nuk është tjetër veçse një lloj dhune e cila bën që jeta të jetojë”, shkruante shkrimtari, poeti dhe filozofi i madh, ku siç mund të konstatohet ka një paradox apo më mirë një kontrast të madh mes veprës së tij lapidare dhe jetës personale, intime. Dhe padyshim ky poet dhe filozof i Europës së Bashkuar nuk ishte i vetmi në këtë fushë të shpirtit dhe përjetimit njerëzor.

Zhylieta

Në jetën e Hygosë, letërsia, politika dhe dashuria ngërthejnë thelbin e ekzistencës dhe të vlerës së tij. Dhe dashuria nuk zë vënd të pakët, se në rrugët e Parisit, Hygoja ka bredhur si një nga dashnorët më të mëdhenj të atij shekulli. Dashuria e Hygosë për Zhyliet Drue, ishte një nga himnet më të bukura të dashurisë, e kthyer tashmë në një legjendë. Një lidhje 50 vjeçare, plot ekstazë, ngjarje, drama, dëshpërime e mërgime dhe më së fundi një jetë të përbashkët, atëherë kur gruaja e shkrimtarit, Adele Faucher, (Hygo), nuk ishte më. Madje vitet e fundit, Adela e kishte pranuar atë si pjestare të familjes dhe e kishte marrë pranë tyre. Ajo ishte e pranishme ngado. Dashuria kishte fituar mbi xhelozinë dhe mërinë e hershme.
received_10154007488622044
Zhylieta kishte qënë aktore dhe luante në teatrot pariziane, në Odeon apo në teatrin e «Porte de Saint-Martin», kur ajo ishte njohur me Hygonë. Kjo kishte ndodhur gjatë leximit të një pjese teatrale, Lucrecia Borgia, e cila do të vihej në skenë. Me 16 shkurt të vitit 1833, ai ngjiti shkallët e dhomës së saj dhe e mbuloi me të puthtura. “Të dashurosh është më shumë sesa të jetosh”, – shkruante ai.

Si të gjitha gratë e dashuruara, edhe ajo mendonte se ai do ta linte Adelën dhe do të martohej me të, por kjo s’do të ndodhte. Jeta tragjike e fëmijëve të tij do ta mbante Hygonë të lidhur gjithnjë pranë familjes, edhe pse ai si natyrë ishte një i dashnor i madh. Kur shkroi dramën mjaft të njohur Hernani, Hygo kërkoi që roli kryesor t’i jepej Zhyljetës dhe se në të kundërtën ai do e tërhiqte pjesën, por gazetat do ta kritikonin rolin e saj në skenë. Ajo që e largoi atë nga ai rol ishte në fakt vetë Adela, e cila nga xhelozia, i shkroi drejtorit të teatrit që mos ta pranonte më interpretimin e Zhyljetës. Dhe ashtu ndodhi. E fyer dhe e thyer si aktore, Zhylieta do të tërhiqej nga bota e teatrit për t’iu kushtuar më pas njeriut pas të cilit ishte dashuruar: “Kam zinë e një roli të bukur që tashmë më ka vdekur përgjithmonë…” – i shkruante ajo Viktorit. Por dhe Viktori do të vuante nga dashuria e gruas së tij, Adelë, me shokun e tij më të ngushtë, kritikun e njohur Saint-Beuve. Një miqësi u prish, ndërkohë që Adela do të vazhdonte bredhjet e saj të fshehta dhe dashuritë me Beuve, herë në karroca, hotele apo kthina të fshehta të Parisit. Sidoqoftë, në një mënyrë të heshtur ata e lanë të lirë njëri tjetrin.

Letërkëmbimi i Hygosë me Zhylietën është një nga letërkëmbimet më poetike që ekzistojnë në historitë e dashurive njerëzore. Vetëm ajo i ka dërguar rreth njëzet mijë letra, deri në ditën kur do të vdiste. Shpesh e quante “I gjalli më sublim i kësaj toke që kurrë nuk kam parë ndonjëherë”, ndërsa ai e thërriste: “Engjëlli im i mjerë e i panjohur”. Dymijë letra të botuara kohët e fundit, ku përgjërohet pasioni dhe mendimi, ku flitet për ëndrrat dhe ëmbëlsinë e jetës, për vdekjen dhe ringjalljen, për tradhëtinë dhe besnikërinë e përjetshme dhe ku ajo i shkruante për “ballin e tij qiellor”, (“le front celeste”)… “Të dua si një grua e devotshme, e gatshme të japë jetën me shenjën më të vogël”… Hygo e thërrriste shkurtimisht “Zhuzhu”, ndërsa ajo “Toto”. Ajo ëndërronte të kishte një fëmijë me të. Atje, në “Rrugën e Parajsës”, krevati i Zhylietës ishte në një sfond të kuq dhe ngjyrë ari. Gjithçka ishte romancë, poezi, erotikë. “Qielli për ne është këtu, në këtë dhomë, në këtë shtrat”… Në netët e vona, nën hijen e një qiriu, atje në Place Royale, ku Viktori shkruante romanet dhe poemat e tij, ai nuk harronte të shkruante dhe letrat e dashurisë: “Zhylietë…do të punoj për të dy! Pasioni për ty më djeg të gjithin. Dua të më duash! Dua të jesh e bukur! Dua që të jesh e lumtur… Po, ti do të jesh!”[1]… Kështu, Zhylieta përjetonte çdo hap të Hygosë, çdo shkrim të tij, çdo roman që ai botonte. Madje jo rrallë ajo e ndihmonte në mbledhjen e të dhënave historike që atij i duheshin për një roman të caktuar. Ajo ishte e dashura e tij dhe bashkëpuntore njëkohësisht.

Dashnori i madh

Hygo ishte një qënie e dashuruar përjetësisht. Dashuria ishte droga e tij, ku ai përhumbej dhe e ndjente veten plotësisht. Një nga dashnoret e njohura të Hygosë ishte dhe Leonie Briand, e cila atë kohë banonte në 12, Rue Laferrière. Në fakt Hygo e dashuronte edhe atë, në mënyrën e tij, por ja që fjalët nganjëherë ishin të njëjta me ato që i shkruante Zhyljetës. Të gjitha gratë për të ishin poetike dhe zgjonin veçse vargje te ai. Por gratë janë dhe xheloze. Madje kur fliste për Zhyljetën, Leonia e quante atë “plaka”, meqë ajo ishte gati 10 vjeç më e madhe se ajo. Kështu, që ta largonte Zhyljetën nga krahët e Hygosë, një ditë Leonia i mblodhi gjithë letrat që i kishte dërguar poeti i dashur dhe të lidhura në një pako ia dërgoi Zhyljetës, shoqëruar me një letër. Leonie i shkruante se ajo kishte qënë dhe ishte dashnorja e Hygosë që prej 17 vjetësh.

Këto letra ishin një bombë e vërtetë për Zhyljetën. E plagosur dhe e zhgënjyer nga i dashuri i saj i përgjëruar, ajo i la një letër lamtumire dhe e braktisi Parisin menjëherë. Si mund të jetonte më? Por Viktori nuk donte që ta humbiste atë dhe i lutej që mos ta braktiste. Madje u vu në kërkim të saj, duke pyetur ndër miqtë dhe të afërmit e saj. Ngado kërkonte një gjurmë të ekzistencës së saj. Kur morri vesh se ajo ishte në Brest të Bretanjës, ai i shkroi menjëherë: “Po të flas para Zotit. Të thërras ashtu siç i thirret Jetës. Shpëtomë nga dëshpërimi! Ktheu! Të dashuroj!”… Dhe si shumë e shumë gra të tjera, edhe ajo do të kthehej. Atë ditë Viktori e priste në stacionin e trenit dhe ajo iu hodh në gjoks. Ai e vendosi atë në një apartament në Rue Sycomores. Përsëri në ekstazë, si të çmëndur. Dhe ajo që i shkruante: «Çfarë furie që sapo kaluam së bashku në shtrat. Do ishte e ëmbël dhe sikur të vdisnim!».

Në mëngjes, kur u zgjua, ajo gjeti një letër që ai i kishte lënë para se të largohej: «Isha i vdekur. Tashmë jam gjallë. Ti je gjaku i zemrës time, drita e syve jeta e jetës time… ëngjëlli im!»

Megjithatë ajo kërkoi ta vërë në provë. Por pavarësisht nga provat, Leonia do të mbetej përsëri në zemrën e tij. Në korrik të vitit 1845, i fshehur në një apartament në «Passage Saint-Roch» të Parisit, Viktor Hygo flinte me të dashurën e tij Leonie Briand. Kur ndërkohë dera kishte rënë me forcë. “Në emër të mbretit hapeni portën!» – ishte dëgjuar nga pas. Viktori hodhi me të shpejtë një këmishë dhe doli të hapë portën. Policët i thanë që ti ndjekin nga pas. Pranë komisarit të policisë ishte dhe burri i të dashurës së tij.

– «Unë jam «Pair» de France!» – kishte thënë Viktori, duke i bërë të qartë se ai kishte një imunitet të paprekshëm.

Leonia e mjerë ndoqi policët. Të nesërmen, gazetat folën për skandalin e një shkrimtari të njohur, të kapur në flagrancë, por askush nuk e botoi emrin e Viktorit, i cili me kohë kishte kontaktuar gjithë gazetat, duke iu kërkuar kryeredaktorëve që ta shmangnin emrin e tij. Por e shkreta Leoni, e dënuar nga gjyqi, pas burgut u detyrua të mbyllej në manastirin e Saint Augustines.

Historia e Zhyjetës ishte një histori përkushtimi si rrallë në historitë e dashurive të mëdha. Një përkushtim gjer në vdekje. Zhylieta tashmë jetonte vetëm për të. Madje ajo e ndoqi dhe në mërgim, në Gurnesey, ku ajo u vendos në një apartament pranë shtëpisë së Hygosë, të quajtur «Hauteville House». Që ta njoftonte se ishte zgjuar, Hygoja lidhte një shami të bardhë në ballkon që ajo ta shikonte nga larg dhe pastaj të shkonte pranë tij. E megjithatë dashuritë kalimtare nuk do të mungonin dhe më vonë në jetën e tij.

Në janar të vitit 1872, në shtëpinë e Zhyljetës, Hygo u lexonte aktorëve të teatrit pjesën e tij Ruy Blas, që do të rivihej në skenë në teatrin Odeon. Sarah Bernard, ylli i ri i teatrove pariziane, i vinte rrotull, edhe pse syri i mprehtë i Zhylietës vigjëlonte. Jo, Hygo nuk mund të rrinte pa bërë dashuri. Kjo do të ndodhte dhe me aktoren Berndard, ashtu si dhe me zonjëza të tjera. Kësaj rradhe, e dashura e tij ishte kopistja e dorëshkrimeve dhe shërbyesja e shtëpisë, bukuroshja Blanche Lanven.

Ajo ishte e re dhe Viktori i moshuar. Por zjarret e tij nuk ishin shuar. Ai ishte i tmerrshëm në dashuri. Blansh ishte e re ndërsa Zhylieta ishte plakur. Një natë, siç shkruan Hygo në shënimet e tij, ai e kishte parë Blanshën lakuriq: “30 janar, 1874. E pashë atë pothuajse nudo, si rrallë ndonjëherë, çka nuk më ka ndodhur prej kohësh. Ajo ka ende një trup të mrekullueshëm…” Por kur Zhylieta i ra në gjurmë dhe Blansh e pranoi gabimin e saj, Viktori i kërkoi ndjesë. “Për të bërë dashuri, – i shkruante me dhimbje Zhyljeta, – ti ke nevojë për shumë trupa, ndërsa dashuria ime për ty, që të të dua më mirë, ka nevojë vetëm për dy shpirtra… Ti nuk je më një burrë për mua. Ti je shpirti i shpirtit tim.”

Ndërkohë, i plagosur nga dhembja, Hygo do t’i përgjigjej: ”Shpirti im, dashuria ime e madhe. Ki mëshirë për mua dhe bëhu e butë me sjelljet e mia!”…

Blansh u detyrua të largohej, por fshehurazi, Hygo do t’i merrte një apartament me qera për ta strehuar dhe bujar siç ishte, ai do ta ndihmonte atë gjer në fund të jetës së tij.

Në ditaret e Hygosë, biografët kanë gjetur mjaft shënime të çuditshme, të koduara, iniciale apo emra femrash, me të cilat ai ka kaluar aventura të një jave apo disa ditëve: Alice Ozy ishte një aktore dhe kurtizane; Louise Colet ishte po një kurtizane që koleksiononte dashnorë në rradhët e poetëve e letrarëve; Esther Guimard ishte dashnorja e një pronari gazetash; Laure Desprès ishte gjithashtu e dashura e dukës De Praslin. Por në ditaret e tij janë dhe emra të panjohura si Poléma (në Rue Clichy), Theodorine, (në Passage Saulnier), Janette, (në rrugën Delebelle), etj, shpirtra që janë tretur në botën anonime. Ishin “vajza të gëzimit”.

Kur Hygo vdiq, populli që e përcolli me këmbë nga Harku i Triumfit te Panteoni, brohoriste me dhimbje dishepullin e tij, ndërkohë që të dashurat e thinjura rikujtonin burrin e fuqishëm që i lumturonte dhe i dehte aq shumë…


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *