Ende më pyesin: A ka qenë jeta ime e vështirë? Rrëfimi i Xhejms Ajvori, fituesi më i vjetër i një çmimi Oskar

Filmat e Xhejms Ajvori të argëtojnë me elegancën e një mjelme, ndërsa nën sipërfaqe këmbët përpiqen të notojnë në mënyrë kaotike Në disa prej filmave më të njohur të tij si, “A Room With a View,” “Maurice” apo “The Remains of the Day,” vihet re përpjekja për t’i bërë të duken sa më bukur dhomat në të cilat zhvillohen ngjarjet. Kostoja njerëzore e përpjekjes për të kontrolluar emocionet.

Ajvori, 93 vjeç e kalon pjesën më të madhe të kohës në apartamentin e tij në Hudson Valley, por kur gjendet në Manhattan, preferon të qëndrojë në apartamentin ku ka jetuar për thuajse gjysmë shekulli. Është shtëpia që ka ndarë me partnerin e tij, Ismail Merchant, i cili ka qenë edhe producent në pjesën më të madhe të filmave të Ajvorit, ndërsa skenaristja e disa prej tyre, Ruth Prawer Jhabvala jetonte një kat më poshtë. Por, Merchant vdiq në vitin 2005, ndërsa Jhabvala më 2013-ën, ndërsa Ajvori jeton tanimë i vetëm.

Tri vjet më parë, kur fitoi çmimin Oskar për skenarin më të mirë të përshtatur (filmi “Call Me By Your Name”), Ajvori u cilësua si personi më i vjetër që fitonte një çmim të tillë. Tani, ai është në procesin editimit të një filmi për Kabulin, të cilin e pati nisur në 1960-ën. Thënë ndryshe, Ajvori nuk e ka të vështirë që të jetë gjithmonë i zënë. “Më pëlqen të kem diçka për të cilën të mendoj,” thotë ai. Apartamenti është i mbushur me libra që pasqyrojnë interest e tij të gjera si, Budizmi, Pikaso apo Venecia, por në dhomën e ndenjies bie në sy portreti i bukur i Merchant. Në dysheme gjenden kuti të mëdha me mbishkrimin “ISMAIL.” “Jam i rrethuar nga të gjitha anët prej tij,” thotë Ajvori. Së fundi, ai është duke rishikuar gjithë korrespondencën e Merchant, përfshi këtu edhe letrat që vetë ai, Ajvori i ka dërguar gjatë marrëdhënies së tyre 44-vjeçare. Çfarë thuhet në këto letra?

“Gjëra praktike,” thotë ai duke mbledhur supet. “Veç atëherë kur po xhironim një film në Indi dhe atij ju desh të udhëtonte për në New York dhe Londër. E kam urryer qëndrimin vetëm në Indi. Më merrte malli për të.”

Ajvori nga Oregoni në SHBA dhe Merchant nga Mumbai u njohën në New York më 1961-shin. “Edhe sot, sa herë që kaloj pranë hyrjes madhështore të konsullatës indiane në Manhatan, mendoj se përse nuk është vendosur një pllakë, ku të thuhet se, pikërisht këtu janë takuar për herë të parë Ismail Merchant dhe Xhejms Ajvori?” Merchant, të cilit i pëlqente gjithmonë të dukej, thoshte se një pllakë e tillë gjendej në fakt në një kafene pranë konsullatës, ku të dy u gjendën pak pas takimit të tyre të parë.

Lidhja e tyre nuk u pranua kurrë publishikisht sa kohë që Merchant ishte gjallë, pasi ai vinte nga një familje konservatore Muslimane nga Mumbai. I pyetur nëse fshehtësia jua pati vështirësuar marrëdhënien, Ajvori menjëherë kundërshton.

“Njerëzit mendojnë se ishim të kufizuar. Nuk është aspak vërtetë!” shprehet Ajvori, i habitur disi nga koncepti modern se lumturia varet me doemos nga të tjerët. Merchant dhe Ajvori bashkëjetuan për më shumë se dyzetë vjet, ndonëse gjatë kësaj kohe secili pati edhe mjaft partner të tjerë. A kishte xhelozi mes tyre?

“Sigurisht! Gjatë gjithë kohës! Ismaili nuk ishte gjithmonë kaq i lirshëm, por ai kishte edhe miq të tjerë,” thotë Ajvori. Një prej tyre ishte Riçard Robins, i cili më pas do të kompozonte kolonat zanore të filmave të Ajvorit. “Të gjithë ata, me të cilët Ismaili kishte marrëdhënie intime, duhet t’ju gjehej më pas një qëllim. Duheshin marrë në punë,” thotë Ajvori duke buzëqeshur. Merchant vdiq në 2005, teksa kurohej për ulçerën në një spital në Londër. Ishte 68 vjeç.

Xhejms Ajvori u adpotua kur ishte foshnje në Oregon. Së fundi, ai mundi të zbulonte se prindërit e tij biologjikë ishin një çift anglo-irlandez. Kur fëmijët e tjerë në shkollë talleshin me të, pasi kërkonte shtëpi kukullash për krishtlindje, ai thotë se nuk ndiente turp. “Fillova ta shihja veten si më të mirë se të tjerët. Në njëfarë mënyre dalloja prej tyre dhe qëndroja mbi ta,” shkruan Ajvori në librin e tij të kujtimeve.

Pavarësisht konservatorizmit të të atit në lidhje me seksin, Ajvori thotë se nuk është ndjerë kurrë në ankth në lidhje me homoseksualitetin e tij. “Për mua, nëse dëshiroja diçka dhe e bëja nuk kishte kurrfarë problem. Ja pata thënë këtë dikur një miku dhe ai m’u përgjigj: ‘Xhim, kjo është qasje prej psikopati!’ Nëse është e tillë, atëherë ashtu qoftë!” Ajvori zgjodhi të bëhej regjizor në vend që të përfundonte si një vrasës serial dhe e nisi karrierën e tij me dokumentarë. Më pas, ai u njoh me Merchant, i cili i sugjeroi të përshtatnin romanin “The Householder” të Jhabvala-s dhe kështu u krijua trioja e tyre./ Shqip: Bjorn Runa

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *