E egër, e guximshme, e çmendur dhe e sinqertë. Përse Gjermania mbetet kombi më i madh i artit në Evropë?

E gjendur në kufi te alpeve, kështjella Nojshvanstein mund të mos japë përshtypjen e vendlindjes së artit modern. Megjithatë, ndërtesa e shekullit të 19-të u ngrit në nder të kompozitorit që frymëzoi nisjen e modernizimit europian. Ai ishte Riçard Vagner.

Mbreti Ludvig i II-të i Bavarisë ishte aq i apasionuar pas muzikës së Vagnerit, saqë ngriti një kështjellë në nder të tij. Megjithatë, fuqia muzikore e Vagnerit çliroi një valë tejet futuriste tek artistët europianë. Lejtmotivet abstrakte dhe simbolizmi i pazakontë i operave të tij magjepsën artistë nga Aubrey Berdslei tek Pol Sezane. Impresionistët qenë gjithashtu të magjepsur prej muzikës së Vagnerit, aq sa Renuari udhëtoi në Palermo për t’i bërë një portret kompozitorit ndërsa punonte për veprën e tij “Parsifal.”

Pavarësisht antisemitizimit të theksuar të Vagnerit, ai përfaqësonte një lloj të ri krijuesi për artistët europianë. Këtë javë, Gjermania pati 150-vjetorin e bashkimit. Përvjetor, që nga disa shihet si i mbuluar me turp dhe gjak. Bismarku, kancelari dhe arkitekti i kombit gjerman e arriti bashkimin përmes një sërë luftërash në vitet 1860, përfshi edhe dy sulme ndaj Danimarkës dhe Australisë. Përgjatë shtatë dekadave të mëvonshme, Gjermania do të kthehej në epiqendrën e dy luftërave botërore si edhe do të niste Holokaustin, duke arritur të dalë sërish si një demokraci e suksesshme pas mposhtjes së nazizmit në vitin 1945 dhe komunizmit të Gjermanisë Lindore më 1989.

Veç kësaj, Gjermania është ndoshta kombi modern më artistik në Europë. Historia e artit shpesh gabon duke ekzagjeruar rëndëinë e artit francez, apo edhe atij amerikan. E vërteta është se asnjë vend tjetër nuk ka mundur të krijojë kaq shumë vepra arti origjinale, provokuese e të fuqishme sa Gjermania përgjatë 150 viteve. Aq sa, mund të thuhet fare mirë se kjo ka qenë epoka gjermane.

Këtu, i gjithë arti modern nis me Vagnerin. Tonaliteti mistik i kompozimeve të tij mund të shquhet në ndriçimin e tymtë të pikturave impresioniste të Monesë. Vepra, të cilat u larguan nga realiteti i jashtëm drejt një qasjeje më poetike ndaj ndjenjave. Krye-simbolisti Eduard Munk i kaloi vitet kyçe të karrierës së tij në Berlinin bohemian të 1890-s, duke i vendosur madje një titull gjermanisht pikturës së tij më të njohur, Der Schrei der Natur (Klithma e Natyrës).

Ndërkaq, rreth viteve 1900 skenës së artit gjerman ju shtua edhe Mynihu si një tjetër qendër. Një grup piktorësh simbolistë të drejtuar nga emigrant rus, Vasili Kandinski krijuan edhe një shkëputje thuajse të plotë nga nacionalizmi drejt thellësisë shpirtërore të ngjyrës blu. Ndër ta, më gjeniali ishte bavarezi Franc Mark, i cili realizoi disa piktura të paharrueshme kuajsh në të kuqe dhe blu, përkundër një peizazhi shpërthyes pak para se të vritej në betejën e Verdunit më 1916 në moshën 36-vjeçare.

Nuk mund të mohohet se këtu nis edhe makthi i madh i Gjermanisë, midis viteve 1914 dhe 1915. Madhështia e artit gjerman qëndron në mënyrën se si mundi të regjistrojë, kundërshtojë dhe kujtojë këtë periudhë shkatërrimi. Piktura e vitit 1926 e Georg Grosz, “Shtyllat e Shoqërisë” tregon në një mënyrë tejet të qashtër ngritjen e ekstremit të djathtë. Përkundrejt një ndërtese që digjet në sfond, ne shohim një grup ushtarakësh dhe kapitalistësh në protestë. Ndërkaq, përballë tyre, Grosz dhe bashkëkohësit e tij radikalë vendosën energjinë e hareshme të demokracisë së Vajmarit.

Në 1937, Nazistët ekspozuan artin modern gjerman të konfiskuar prej tyre si edhe disa vepra nga Pikaso dhe Matise në atë që do të njihej si Ekspozita e Artit të Degjeneruar në Mynih. Retorika naziste se arti modern ishte moralisht i shthurur vinte si një përgjigje ndaj diçkaje më specifike: shfaqja e çlirët e seksualitetit në forma tronditëse në veprat e artit të Vajmarit.

Të tjerë gjermanë radikalë do t’i ktheheshin trashëgimisë estetike të Vagnerit. Madje, siç shumë gjermanofobë shprehen, edhe vetë Hitleri e adhuronte muzikën e Vagnerit. Marksisti gjerman, Uollter Benxhamin thoshte në vitet ’30-të se fashizmi nuk ishte tjetër veçse një ideologji estetësh me moton: “Të lulëzojë arti, ndërsa bota shkatërrohet.” Ndërkaq, për Benxhaminin arti i demokracisë mbetej fotografia, e cila mund të riprodhohej pafundësiht dhe të zëvendësonte romantizmin me informimin.

Fotografi i njohur August Sander realizoi një seri fotografish, të cilat portretizojnë gjermanët e kohës më tepër si specie antropologjike dhe mbetet një nga dokumentet më të frikshme sociale të artit modern. Ndërkaq, studentët e shkollës Bauhaus mësoheshin si të krijonin vepra arti funksionale. Ndërtesa dhe objekte racionale e të donishme. Piktura e vitit 1932 e Oskar Shlemer, “Shkallët e Bauahus” tregon të rinj dhe të reja me pamje thuajse prej skulture përkundrejt një arkitekture minimaliste. Me fjalë të tjera, kjo qe pamja e Gjermanisë që do të shkatërrohej në pak vite.

E njëjta pamje do të kthehej. Për shumë artistë pas vitit 1945, racionalizmi i Uollter Benxhaminit mbetet i vetmi art i moralshëm pas nazizmit. Gerhard Rihter është një piktor, i cili nuk pranon se piktura është diçka e veçantë. Ai, jo vetëm kopjon fotografi të ndryshme në veprat e tij, por shmang me çdo kusht çdo ide impresioniste. Ironikisht, Rihter ka krijuar disa nga imazhet më sublime të artit modern.

Arti modern i gjermanisë së sotme nuk i shmanget aspak të shkuarës së errët e të përgjakur. Fakti që, në vitet 1960-1970 me një trashëgimi thuajse të paprekshme, arti gjerman rifitoi kurajon për t’u kredhur në kujtesën dhe mitoligjinë vagneriane është ndoshta një nga aspektet më magjepsëse të kulturës moderne. Josef Beuys, artisti që përpiqej të fshihte njollat e djegies në kokë nga koha e luftës duke mbajtur kapele e nisi karrierën duke krijuar skulptura me motive fetare gotike, ndërsa do të rishpikte artin e tij. Bueys krijoi instalacionin më të njohur të karrierës së tij, Tramstop për pavijonin gjerman të Bienales së Venecias në vitin 1976. Ndërtesa e periudhës naziste vijon të mbajë në fasadë fjalën “GERMANIA,” titulli i librit të parë shkruar në Gjermani nga historiani i antikitetit romak, Tacitus.

Gëzuar ditëlindjen Gjermani? Festat historike nuk janë kurrë të lehta. Uollter Benxhamin vërejti natyrën tragjike të historisë dhe artit teksa kundronte kryeveprën e Pol Kli, “Angelus Novus.”

“Ja se si e imagjinon njeriu engjëllin e historisë,” shkruajti Benxhamin tek vështronte pamjen e përçudnuar të engjellëit me sy të mëdhenj. “Fytyra e tij kthehet drejt së shkuarës. Aty ku ne shohim një sërë ngjarjesh, ai nuk sheh veçse një katastrofë… Engjëlli do të kish dashur të qëndronte, të zgjonte të vdekurit dhe ndreqte atë çka është shkatërruar.”

Engjëlli i historisë është shpirti i artit modern gjerman. Art, që sheh të shkuarën dhe nuk mund ta harrojë tragjedinë e saj. Ka diçka prekëse në përpjekjen e tij për të ndrequr atë që s’mund të ndreqet më. Tashmë, simboli i kësaj dëshire, “Angelus Novus” qëndron varur denjësisht në Muzeun Izrael në Jeruzalem./ The Guardian, në shqip: Bjorn Runa

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *