Dy raste krejt të ndryshme të idiotizmit në rrjet, Bregoviç dhe mjalti i ngrirë (Umberto Eko, ç’ngushëllim!)

Jonida Hitoveizi

Kërkon një forcë titani hapja e rrjetit social Facebook qyshkur doli lajmi i bujshëm ( thua se ishte hera e parë a thua se është viti 1999, a thua se Goran është Millosheviçi vet etj, etj ) që Goran Bregoviç ishte ftuar në festën e birrës në Korçë. Në fillim, reagimet ishin tek-tuk derisa në zjarrin e ethshëm patriotik u përfshinë të gjithë, intelektualë, injorantë, idiotë dhe analfabetë. Të gjithë tok në të njëjtën hapësirë. Të gjithë, me të gjithë artilerinë e tyre, ata patriotët me viktimat e luftës, të tjerët me argumentin mbi faktet.

Pa asnjë tepri, idiotët e rrjetit gëluan në hapësirën virtuale me komente, fyerje,sharje, kërcënime, praktikisht me çdo gjë që mundin sepse ende asgjë nuk ka mbaruar. Pjesa më interesante që kam lexuar kanë qenë komentet e analfabetëve funksionalë (numër i konsiderueshëm) në disa shkrime që janë kundër ardhjes së Goranit. Këtu është pjesa më interesante. Psh. poshtë statusit që ka bërë Aurela Gaçe me ironi, lexon çfarë nuk ta pret mendja. Dmth Aurela është kundër ardhjes së Goranit dhe e ka shprehur në një mënyrë metaforike ku supozon sikur në Beograd këndohet “Xhamadani”, ndërsa komentuesit që kanë lexuar, por një dreq kanë kuptuar nga ajo që kanë lexuar, nisin e shajnë Aurelën.

(Dmth shajnë njëri-tjetrin edhe pse janë të themi në të njëjtën anë). Shumësia e atyre që lëxojnë po nuk kuptojnë në këtë status dhe qindra të tjerë të ngjashëm është aq e frikshme sa të lë të pagojë.

 

Madje dhe tani që po hedh këto radhë ndjej një mosdëshirë për ta çuar në fund këtë shkrim, një vrarje shpirtërore mbi atë se me kë komunikon. Populli ynë i ka rënë shkurt duke thënë “foli murit”, ndërsa muri i injorancës që vetëm shumohet në rrjet qenka një oqean i tërë që të mbyt. Përtej pjesës se duar të fshehta qëndrojnë ndoshta pas këtij zjarri, njëlloj si ata pirromanët që djegin pyjet.

Këta ndjekës nuk kanë kuptuar asgjë nga statusi ironik shajnë Aurelën po aq sa serbët dhe Goranin. Praktikisht ajo që po ndodh është thjesht tym tifozerie që ka humbur aftësinë për të arsyetuar.

Këtu dhimbja për atë që do të duhej të ishim si një shoqëri, jo në këtë pikë të analfabetizmit, gjen ngushëllim tek shtjellimi që Umberto Eko ka bërë kur tha se interneti u ka dhënë zë gjithë budallenjve që deri dje idetë e tyre i shpalosnin vetëm në një tavolinë më pak njerëz.

“Tepria e budallallëkut është duke mbushur radhët”, thotë Eko dhe këtu u ndesha me një tjetër marrëzi.

Syri më kapi një titull me gërma të mëdha sesi shumë njerëz, duke ndjekur disa influencëra në Tik-Tok e Instagram, ku tregohej sesi mjalti në ngrirje bëhej xhelatinë dhe mund të hahej ashtu. Një mori njerëzish që ishin habitur nga kjo shpikje kishin nisur të konsumonin mjaltin xhelatinor, të magjepsur nga ndryshimi i pësuar gjatë kohës në ngrirje, ha e ha derisa kishin nisur shqetësimet e shëndetit, me diare e dhimbje stomaku. (Hej Zot, ruaje njerinë!) Këtu pastaj dolën disa nutricionistë për të paralajmëruar; Ki kujdes se sëmuresh! Mos e provo në shtëpi! Kjo ngjarje, e cila mori dimensionin e një lajmi të raportuar dëshmon edhe njëherë se kufiri i budallallëkut është ai që i  vendosi Ajnshtajni:Pafundësia.

Apo siç ngulmon Eko sesa punë na duhet të filtrojmë informacionin që marrin në rrjet, sesi duhet ta shtrydhim pak më shumë mendjen mbi burmin dhe vërtetësinë për të mos rënë pre e çdo idiotizmi si ky më sipër me mjalt të ngrirë e Bregoviç.

Mënyra sesi interneti po drejton veprimet që kryen njeriu dhe ndikimi në jetën reale është befasues e po aq shokues. Madje njerëzit arrijnë deri aty sa të tesojnë në trup mënyra kurimi e shërimi, se i kanë parë tek njëri apo njëra që ka mijëra apo miliona ndjekës. Pra numri i ndjekësve është autoriteti dhe shkenca, si të provosh një rrobë trupi.

Shembuj të tillë marrëzish gjen me shumicë në rrjet, aq sa njeriu vihet në pikëpyetje; a je më njeri, apo thjesht një idiot që frymon pa menduar asgjë sepse mendimi e lodh kokën?

Sa i takon debatit për Goran, të cilin ata që e fryjnë ndoshta ia dinë më mirë dobinë, mu kujtuan disa seminare ballkanike, ku sinqerisht kam vënë re sesa afër e sa mirë kuptohen shqiptarët e Kosovës me sllavët qofshin boshnjak, serb a kroatë, e sa në aneks kulturor jam ndjerë personalisht. Kjo është thjesht një ndjesi ardhur si pasojë e një vëzhgimi sa rastësor e po aq subjektiv.  Pastaj po të ndalemi tek bashkëpunimet mes artistëve shqiptarë e sllavë, panorama është krejt tjetër nga ç’dëgjon këto ditë.

Nga ana tjetër kemi një vend të cilit i kemi vënë zjarrin, ndërsa perimet e frutat që çojmë në shtëpi janë plot hormone e helme të panjohura. Po ç’rëndësi ka fundja ajri e fëmijët tanë?! Këto ia kemi lënë Zotit, ndërsa marrëzinë e kemi marrë vet në patronazh!


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *