Dr.Gjilpëra kërkon brekë Korçe pas shpalljes së vëkëmë-së

Fort të ndritur, të dashur e të vojtur shqiptarë.
Erth ditë e zezë. Qeveria na la pa brekë, pa dhurata, na la pa rroba, pa parfume, pa të brendshme e të jashtme, pa këpucë e sandale, pa fustane e pantallona, pa kanatiere, triko, pallto, shalle, xhupa e dorashka. Taksimi i ri që është shtënë me Vëkëmënë e fundme, do na lërë zbathur e zhveshur, siç na la xha Ënvëri, që mos pastë dritë. I kini parasysh ato rrobat qe na i sillnin nga jashtë shtetit, me kuti e me kartona, me qese e me çanta, me valixhe a me pako? Nuk i shtëmë dot më në këtë vend se na takson qeveria për çdo gjë që kushton më shumë se 22 euro. Maksimumi do na çojnë vetëm çorape, ose vetëm kanatiere, vetëm të mbathura ose vetëm të lartme- jo më të tëra se për çdo gjë duhet paguar 10 euro- ose katërmbëdhjetë mijë leka- se qeVARisësit tënë nuk e thonë as me lekë po me evro, ç’mendjehapur që janë, le qe ç’them unë, janë mendjeshqyer fare. Përgatituni për kohë të vështira- kemi vetëm 7 ditë veshje- do bëjmë me ato që kemi, t’i arnojmë, t’i sajojmë, ose do vëmi te tregu të vishemi të tërë me xixa e temina, ose do blejmë rroba të përdorura, të tërë së bashku, përdore me rroba të marra hua si në komunizëm. Na e hoqnë riskun, na lanë zhveshur. Se ndër butiqe nuk blejmë dot- ato rroba të imituara alla shqiptarçe, që ua shkruajnë firmat me stilolaps.

Nga sot të shtrenjët e mi, kërkoni brekë korçe, a nga ato veshjet e Kombinatit të Tekstileve që nxirren prej sënduqeve të gjysheve. U pa puna vëllezër e motra, rierdhi dita që të vishemi të tërë njësoj, me të linjta e të leshta, si qëmoti, të uniformizuar. Nuk ka nevojë për nostalgji, qeVARia na i ben ëndrrat realitet.

E falenderojme qeverinë që është kaq e ndjeshme dhe e prekshme përkundrejt interesave te palobutiqeve që pastrojnë, lajnë e thajnë paratë e pista; se qenkëshin këto që na qenkëshin ankuar se shqiptarët nuk futen nëpër skutat e tyre për të blerë leckat e shtrenjta që varin ata nëpër varëse. E falenderrojmë qeverinë, që reagon menjëherë në ndihmë të të pasurve. Zoti mos ua bëftë Dritë. Amen!

I Juaji, i Drejti dhe i Pacensuruari, Dr. Gjilpëra

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *