Doktor Gjëlpëra letër Kongolit: Jam fort i prekur nga rrëfimi juaj mbi shkrimtarinë dhe pasurinë

Fort i nderuar, zoti Kongol
Jam fort i prekur nga rrëfimi juaj plot ndjenjë e mallëngjim mbi shkrimtarinë dhe pasurinë.
Nuk i heq kurrfarë pike, presje as pikëpresje asaj që ju kishit kënduar në një auditor të nderuar këto ditë. Jam gjëndur jashtë vëndit dhe nuk pata kohë të mbërrij të jem i pranishëm, por e pashë me vend që në emrin tim (nxitur prej jush) tu bëjmë me dije të rinjve se cila është receta e suksesit. Unë mendoj se janë me vend këto fjalë:
Si vijon:
Prej se unë, i poshtëshënuari Doktor Gjëlpëra, kam zbuluar rrënjët e dramës së Mamurrasit, nuk ka mbetur më gjë pa u marrë vesh. Veç rrënjët patën mbetur dhe ato i nxora unë në dritë. Duke qenë i moçëm, thaçë tu thom ato pako gjëra që di, që mi ka mësuar jeta në Avropë. Kam, si të thom, disa receta suksesi, që janë ku e ku më të vyera sesa rubrika “Si të bëheni milionerë”. Edhe unë te milionët do dal, po do dal te milionët përmes letrave; jo te kartmonedhat, por te kartat që sjellin kartmonedha me “Skënderbe” ose nga ato banknotat 500-she avropiane. Unë kam pasur fatin që kam qenë i pasur. Im atë, ndjesë pastë, nuk qe nonjë i shkolluar, por qe burrë i mençëm e më para, merrte vesh nga paraja. Unë jam ky që jam falë tij, se ai më jepte para që unë të mbushja mendtë nëpër Rusi e Suedi. Ju e dini që unë u shkollova për mjekësi, deshnja të shëronja njerëzinë, nga mendtë e nga trupi, kështu desh edhe im atë.
Rrugës, zbulova kartën e penën dhe e lashë në plan të dytë doktorllëkun, i lashë agallarët e bejlerët dhe u muarç me masnë e gjërë të popullit heroik. Nanjëherë, më vjen fort keq që i kam lënë të sëmurtë e mi në duart e dr.Embrullahut dhe dr.Protogor Dhallës, veçse unë e shëroj njerëzinë nga mendja jo nga trupi, se mendja e shëndoshë në trup të shëndoshë i thonë llafit.
Që të kini sukses në të shkruar, në kartat e bukura që zhvillojnë shoqërinë tonë demokrato-proletaro-bolshevike e prapë përparimtare, ju që si unë, i jepni fort rëndësi mendjes, duhet të kini parasysh që me karta, me letra e me mendje të hollë, nuk bëhen para(në mos janë firma tenderimesh!). Dua tu thom se letërsia nuk ju jep para; me letërsi, kur jetoni në Shqipëri, në vend që të pasuroheni do të varfëroheni, se do paguani botues e shtypshkronjë- për ju nuk mbeten as thërrime. Prandaj, që të ecni në letërsi, si fillim duhet të jeni si puna ime, njerëz me para të trashëguara; nëse nuk jeni të tillë, gjëjeni një njeri që i trashëgon; një njeri që ta keni mik a mikeshë zemre, që të jetë trashëgimtar(i nonjë familje të madhe, ose familje të vogël me para të madhe)- ai ose ajo le të ketë paratë, e ju mendjen- do ishte një bashkim ideal, çfarë shpirtrash të dlirë e të panjollosur. Ndërkohë që njëri partner ngre pasurinë, tjetri ngre letërsinë- çfarë jete do të kishte qenë; një punon me penë e një llogari, njëri i flet portofolit tjetri shpirtit; njëri mendon për emrin në jetë të jetëve, tjetri për brezat në jetë të jetëve; njëri shkon nëpër banka, tjetri nëpër akademi; sepse që thoni ju, shtëpia ka nëvojë për dritë, por ka nevojë më së pari për çati, e çatia nuk ndriçon, por pa çati qiriri shuhet.
Ju e dini, që unë doktor Gjëlpëra, kam qenë njeriu i mjekësisë moderne, partizan i natyrës, i helioterapisë (dielli, uji, ajri), veçse nuk u kanë mësuar se unë jam edhe mjek i jetës moderne, e me bark bosh nuk bëhet nonjë art i math se të kërcansë zorrët ku s’mban më, as mendimet nuk të qasen me bark bosh. Besomëni, ta jep një dhimbje koke që s’ka mendim as bir mendimi që tu trokasë në derë.
Ja kështu si unë, mendoni edhe ju i njojturi i math i letrave, zoti Kongoli, që me plotë të drejtë thua se “Të jesh shkrimtar në Shqipëri është një sfidë. Por, cila është sfida? Sfida është varfëria që duhet të përballosh ti. Kjo lidhet dhe me egoizmin tënd për të shkruar, për t’ju përkushtuar diçkaje, që s’të jep as para dhe as dreq, por që i imponon edhe familjes tënde një jetë të vështirë edhe modeste. Por, kjo ka qenë zgjedhja ime dhe unë jam marrë vesh me ata që u jap llogari.
Ju shtoni  se “Paraja ka shumë rëndësi nëse do të sigurosh jetesën dhe familjen. Prandaj një vajze të re, e cila dëshiron apo synon të bëhet shkrimtare, do t’i sugjeroja të martohej me një biznesmen. Ndërsa, një djalë e sugjeroj të martohet me një vajzë të kamur”. Ndryshe ç’kuptim ka të martohen dy të rinj, që nuk kanë lekë sa të nxjerrin në treg një libër!
Të dashur të rinj, nëse nuk jeni si unë e si Kongoli, bëhuni si ju thomi ne, ndryshe në kohërat që ju ranë për pjesë të jetoni,  do mbeteni si langot, që s’do dini nga të shkoni e na të veni.

I Juaji, i Drejti dhe i Pacensuruari, Dr.Gjëlpëra

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *