Arti dhe inteligjenca artificiale ose “Klara dhe dielli”

“Klara dhe dielli,” romani i ri i Kazuo Ishiguros eksploron vazhdimësinë dhe lidhjen midis kreativitetit dhe teknologjisë.

Gjendemi në epokën e teorive konspirative e për këtë arsye, po ju sjellim një shembull interesant, sado i pavend që mund të duket. Ne jemi të rrethuar nga robotë inteligjentë dhe nga inteligjenca artificale në përgjithësi, e cila ndonëse e padukshme na dikton se çfarë duhet të bëjmë dhe ne, njerëzit ndjekim urdhërat. Thënë ndryshe, përfytyroni një botë të gjallë me vetëdije dhe inteligjencë dhe mendimi njerëzor reflekton këto procese.

A nuk ju tingëllon si diçka e dalë nga filmi “The Matrix?” Filmi fantastiko-shkencor, që në fakt është parabolë e diçkaje mëse reale, siç është vetë kinemaja. Një transformim radikal ndodh kur ti hyn në sallën e errët të kinemasë. Ti, njeriu bëhesh ekrani dhe mendja që përthith, mendon dhe lidh idetë me njëra tjetrën gjendet e gjitha në celluloid ose materialin digjital filmic. Në film, gjithçka është perceptuar ekzaktësisht në atë sekuencë që shfaqet dhe pikërisht ashtu siç filmi synon të perceptohet nga shikuesit; në sallën e errët të kinemasë, imazhet dalin nga mendja e padukshme e filmit për t’u projektuar në mendjen tuaj. Imazhet vendosen forcërisht në mendjen e shikuesve, ku më në fund mund të shfaqen në trajtën e tyre të plotë. Kinemaja është një robot që sheh. Ajo çfarë ndodh në sallë s’është tjetër, veçse projektimi i një kodi të caktuar në ekranin e mendjes njerëzore.

Trajektorja e artit modern mund të interpretohet si përpjekje për të krijuar objekte të tilla, të cilat kanë aftësinë të mendojnë. Duket sikur ajo çfarë kërkojmë ndonjëherë nga veprat e artit është që të ekzistojnë pa një marrës apo spektator. Thënë ndryshe, duam t’i shohim këto vepra si objektive dhe të pavarura nga interpretimet personale. Në fakt, e kundërta bën shumë më tepër sens, kur veprat e artit përvetësohen në mënyrë të atillë nga ndërgjegjia njerëzore, saqë arrijnë të marrin jetë.

Shprehja e Hegelit se veprat e artit janë objekte materiale që kanë marrë një jetë shpirtërore nënkupton se këto vepra, duke qenë produkte të mendjes mbeten të tilla edhe kur përçohen në dry, gur apo telajo. Ajo çfarë shohim në veprat e artit na tregon se ç’do të thotë të shihesh. Vetë objektet përmbajnë edhe mënyrat se si duhet të përjetohen. Cili është ndryshimi atëherë ndërmjet një objekti material dhe një vepre arti? Në pamje të parë, të dyja mund të jenë të padallueshme. Një sërë krijimesh moderne nuk kanë thuajse kurrfarë ndryshimi nga objektet e jetës së përditshme. Megjithatë, krijimi apo vepra e artit përmban në vetvete edhe mënyrën se si duhet parë, këndvështrimin dhe interpretimin. Një kanoçe e vendosur në muzeum nuk është më thjesht një kanoçe, por përmban në vetvete një mesazh, një zë dhe ide. Ose, siç do të shprehej Hegeli, vepra e artit është e gjallë dhe me vetëdije. Sot, kjo mund të quhet ndoshta inteligjencë artificiale.

Kur nis të lexosh një roman të mirë, ti menjëherë vë re zërin e rrëfimtarit. Ai është shpesh i paanshëm, i shkëputur dhe sjell një këndvështrim jovetjak, që gjithsesi është në gjendje bëjë bashkë ngjarjet dhe të krijojë një strukturë të ndërthurur. Përsa i përket rrëfimtarit, mund të thuhet se ai është gjithçka veçse njerëzor, ndërsa shfaq një inteligjencë më të lartë se e zakonshmja. Kjo vlen edhe në vepra rrëfehet në vetën e parë. Nga ana tjetër, përsa i përket përmbajtjes, a nuk i përngjan kjo një algoritmi? Personazhet japing të dhëna të caktuara përmes veprimeve të tyre, të cilat romani i shndërron më shumë apo më pak në një output. Ndërkaq, midis rreshtave gjendet një set i tërë rregullash për jetën, të cilat mund të çojnë në krijimin e një numri të pafundëm historish të tjera, për sa kohë ju japim personazhe të reja një nisje të re. Të kuptosh një roman, do të thotë të kuptosh algoritmin që shtyn përpara ngjarjet në të. Në disa raste, veçanërisht në klasikët e Bildungsroman, janë vetë personazhet, të cilët përpiqen ta kuptojnë algoritmin e ngjarjeve.

Ndonëse tejet larg së vërtetës, thuhet shpesh se qëillimi i fiksionit është të krijojë një botë artificiale. Siç shprehej edhe Filip Roth, fiksioni sjell në jetë vetëdije e jo thjesht një botë me materialet e saj. Romani krijon një këndvështrim dhe mënyrë të menduari ndaj botës. Ai i jep zë realitetit të heshtur të botës.

Premisa e romanit “Klara dhe Dielli” të Kazuo Ishiguros qëndron në faktin se, me mbërritjen e androidëve, tanimë është e mundur që realitete të tilla të marrin një trajtë të qartë dhe specifike. Ajo çfarë arti dhe romani modern u përpoqën të formulojnë, është tashmë një arritje teknologjike. Ishiguro tregon natyrën profetike të letërsisë moderne: gjithmonë e më tepër, ne gjendemi në një botë të organizuar nga algoritme që nuk arrijmë të kuptojmë, ndërsa inteligjenca artificiale është shndërruar në ndërgjegjien superiore që bën bashkë njerëzit, ashtu si rrëfimtari i romanit klasik.

Vështirë të gjendet ndonjë shkrimtar, i cili mund të përfytyrojë një rrëfimtare më të mirë se sa android Klara, e cila duke vështruar nga vitrina e dyqanit ku është nxjerrë në shitje vendos rregull në botën jashtë. E pajisur me një forcë vëshguese të jashtëzakonshme, asaj nuk i duhet të mbajë shënim asgjë. Ishiguros i duhet vetëm ta lejojë këtë vetëdije jonjerëzore të vijë në jetë, ndërsa mban shënim output-et e algoritmit të saj të brendshëm: një android në pritje për t’u blerë nga një fëmijë në kërkim të një shoqeje, sado artificiale. Në roman, Xhozi është fëmija që më në fund merr Klarën në shtëpi.

Nëse do t’i përkiste një kohe më të hershme, fëmija mund të kishte kërkuar një libër, por Klara është në vetvete një lloj libri, një këndvështrim mbi botën dhe një histori që pret të zhvillohet. Romani modern nuk mund të ekzistojë pa formulimin e një inteligjence artificiale, që e tejkalon mendjen njerëzore, por pa qenë kurrsesi hyjnore. Gjer këtu, nuk i largohemi thirrjes së Hegelit: vetëdija ngrihet në vetëdije. Rrëfimtarja e romanit “Klara dhe Dielli” nuk është një figurë misterioze e as hyjnore, shfaqjen e së cilës autori e lë pa spieguar. Ajo në fakt përbën një zë dhe personalitet konkret në botën materiale. Ajo është e vetëdijshme, ndonëse jo njerëzore. Androidi ekziston jashtë botës njerëzore e ndoshta edhe e tejkalon njerëzimin teksa ngrihet mbi heshtjen e objekteve materiale.

Pavarësisht inteligjencës së saj, Klara gabon në shumë momente. Algoritmi i saj nuk është i përsosur dhe përgjatë romanit aludohet se ka të tjerë android edhe më të arrirë. Ndonëse Klara arrin të ndreqë disa prej keqkuptimeve që ajo ka për botën, pjesën më të madhe të kohës ajo tradhëtohet nga vetë dëshira e saj për ta kuptuar atë. Gjithçka duhet të ketë një spiegim dhe në ngut e sipër për të interpretuar botën rreth saj, Klara arrin në përfundime absurde.

Duket sikur Ishiguro përpiqet të thotë se vetë inteligjenca ka një natyrë subjective. Edhe pse Klara mund të ngrihet mbi inteligjencën njerëzore, kjo arrihet vetëm duke nxjerrë në pah të metat e saj. Si rrëfimtare, Klara nuk është e besueshme, por kështu ndodh me cilindo rrëfimtar të kujtdo romani që është shkruar ndonjëherë.

Pjesa e dytë e romanit “Klara dhe Dielli” është ana e kundërt e asaj çfarë paraqitet në pjesën e parë. Befas, Ishiguro është më pak i interesuar për idealin e letërsisë si shfaqje e shpirtit njerëzor, se sa në idenë se çdo rrekje drejkt objektivitetit tradhëton natyrën e vërtetë njerëzore: jetën, nervozizmin dhe rrjedhën e pakapshme të vetëdijes. Nuk shtrohet më çështja nëse inteligjenca artificiale do të zëvendësojë njerëzimin, por nëse vetë qeniet njerëzore janë zëvendësuar kohë më parë nga inteligjenca me pasojat e saj vdekjeprurëse ndaj pasionit dhe ndjenjave. Jemi kthyer në makineri shumë kohë përpara se këto të shfaqeshin.

Në një rrafsh të dukshëm, “Klara dhe Dielli” është një roman mbi rreziqet e automatizmit. Qysh në faqen e parë, qeniet njerëzore kërcënohen nga zëvendësimi me robotë. Vetë rrëfimtarja është e tillë. Ndërkaq, babai i Xhozit është zëvendësuar në punë nga robotë dhe i është bashkuar grupit të rezistencës njerëzore kundër progresit. Lëvizje, e cila nga të tjerët shihet si e një natyre fashiste.

Disa lexues mund ta kuptojnë qysh në fillim, por të tjerëve mund t’iu duhet kohë për të arritur në përfundimin e tmerrshëm. Ndërsa në pamje të parë duket sikur Xhozi dhe e ëma po kërkonin një shoqe për Xhozin, e vërteta është se Nëna, siç Klara i drejtohet përgjatë githë romanit, ka në mendje një plan shumë më të errët. Ndërsa gjenden në dyqanin e robotëve, Nëna i kërkon Klarës të imitojë të bijën, Xhozi si për t’u siguruar se aftësitë e saj vëshguese janë të përsosura gjer në atë pikë. Në rrafshin letrar, kjo është detyra e shkrimtarit: të ushtrojë aftësitë e tij vëzhguese me synimin për të krijuar një prodkut që do të zëvendësojë realitetin në letër në mënyrë sa më të përsosur.

Në rrafshin njerëzor, zëvendësimi përbën një zgjidhje ndaj vdekjes. Siç shfaqet në roman, Xhozi vuan nga një sëmundje e rëndë dhe mund të vdesë. Dikur përmendet një artist, i cili pikturon portretin e vajzës, por që është më tepër i interesuar të bëjë fotografi të detajuara për krijimet e tij të ardhshme. Në momentin më kulmor të romanit, kur Klara hyn në studion e artistit përballet me një model të “Xhozit,” varur pezull në ajër. Rreze drite e përshkojnë atë nga disa kënde dhe fytyra e saj është krejt identike me të vajzës.

Kur më në fund Nëna i thotë artistit se ideja nuk ka për të funksionuar, ashtu siç nuk funksionoi me kushëririn e Xhozit, Sal, i cili vdiq nga e njëjta sëmundje, ne mësojmë rreth planit të vërtetë. Sali ishte një kukull e animuar, por zhvillimi i teknologjisë premton se, zëvendësuesja e Xhozit do të jetë në fakt, një vazhdim i saj. Ky është edhe qëllimi i vërtetë i blerjes së Klarës. Ajo e ka vëzhguar Xhozin dhe ka arritur të mësojë se si ajo jeton, mendon dhe sillet. Ndërgjegjia e Klarës mund të transferohet në kopjen artificiale të trupit të Xhozit, duke krijuar kështu vazhdimësinë perfekte të saj.

Xhozi është e sëmurë si pasojë e një modifikimi gjenetik që synonte rritjen e aftësive të saj intelektuale. Me fjalë të tjera, ajo është vazhdimi i vetes së saj fillestare, natyrale dhe të pamodifikuar. Shndërrimi i ri nuk është më pikënisja e pamundësisë sonë për të dalluar Xhozin e vërtetë nga e modifikuara. A është versioni i modifikuar i Xhozit i vërteti, pasi vetja e saj natyrale ishte ndërkaq e kufizuar në ndjekjen e ëndrrave dhe projekteve të saj? Apo mos ndoshta Xhozi natyrale ishte disi më autentike megjithë kufizimet e saj?

Pikërisht në këtë predikament bashkëkohor, Ishiguro duhet të gjejë përgjigjen. A ka një bërthamë autentike të pandikueshme nga shndërrimet teknologjike? Pandemia na deytroi të ndalemi e të mendojmë, duke na kujtuar se së pari vjen problemi i mbijetesës. Ndërsa thirrjes së natyrës mund t’i përgjigjemi përmes teknologjisë, kuptimi i jetës është i një natyre më shpirtërore. Për ta zotëruar natyrën dhe për të qenë aq të paprekshëm sa perënditë, na duhet së pari të kuptojme se cila është natyra jonë dhe përse duhet ushtruar një pushtet i tillë. Tek e fundit, pandemia na kujtoi rreziqet e natyrës faktit shqetësues që ne jemi pjesë e saj si bartës natyralë të viruseve e rrjedhimisht të padallueshëm nga vetë rreziku fillestar.

Çuditërisht, Klara është e para që dyshon mbi Projektin e Vazhdimësisë. Në përpjekje për të venitur dyshimet e nënës, shkencëtari Kapaldi shpjegon se kjo ështe çështje gjeneratash. Gjenerata e Klarës ka ruajtur njëfarë ndjeshmëri rreth njerëzve, duke besuar se ka diçka të fshehtë e të pakapshme tek secili prej nesh. Por, nuk është kështu, thotë ai. Gjithçka rreth njerëzve mund të përllogaritet e, nëse e kërkon nevoja edhe të transferohet në një medium të ri.

Përpara se të kundërshtojmë, duhet të kuptojmë se jo vetëm shkencëtari Kapaldi, por edhe çdo artist duhet të besoje në këtë lloj “transferimi.” Përndryshe, si mund të përshkruhet puna e shkrimtarit? Ashtu si Kapaldi, edhe shkrimtarëve ju duhet të kapin çdo moment të ndjesive tona më të thella e më abstrakte, që të mund t’i rikrijojnë përmes letërsisë. Ashtu siç Nëna kërkon të rikrijojë Xhozin për ta shpëtuar nga vdekja, edhe artisti krijon në përpjekje për të përjetësuar momentin e për ta ruajtur atë nga shkatërrimi i kohës.

Në një çast kritik përgjatë romanit, babai i Xhozit pyet Klarën nëse ajo beson tek zemra njerëzore në kuptimin poetik të saj. “Mendon se ka vërtetë diçka të tillë? Diçka që e bën secilin prej nesh të ndryshëm?” Nëse Klara do të duhet të rikrijojë Xhozin, a nuk do t’i nevojitet asaj të mësojë se çfarë gjendet në thellësinë e shpirtit të vajzës? Problemi këtu është se, ata që e duan Xhozin nuk do të mund ta duan vazhdimin artificial të saj për sa kohë nuk është krejt identik me të, deri në thellësinë  shpirtit. Nga ana tjetër, si mund ta duash dikë kur je i vetëijshëm se ajo mund të kopjohet dhe riprodhohet? Problemi është i njëjtë edhe për romancierin: Ai ose ajo kërkon të kapë shpritin, por ky i fundit mbetet i pakapshëm. Mund të ndodhë që njerëzit të jetojnë me premisën e gabuar se ka diçka të veçantë tek secili prej nesh. Gjithsesi, të zbulosh se kjo nuk është tjetër veçse besëtytni mund të përbëjë sukses për shkencëtarin, por për artistin do të që një katstrofë.

Në romanin e tij, Ishiguro eksploron dy ide të mëdha. E para, se robotët dhe inteligjenca artificiale nuk janë diçka e re, por kanë qenë pjesë e njërzimit qysh në gjenezë. Gjithmonë në jemi përpjekur të shndërrojmë përvojat tona subjective në diçka të jashtme, që mund të kutpohet nga të tjerët. Thënë ndryshe, ëndrra e objekteve të shpirtëzuara është forca shtytëse e artit dhe kreativitetit. Ndërkaq, ideja e dytë është se mundësia e inteligjencës artificiale na bën më njerëzorë. Si mund t’i qasesh mendjeve të tjera? Si munt ta kuptosh aspektin përbashkues njerëzor? Diçka e tillë duhet të ndodh përmes veprave dhe shprehive që, gjithë duke bartur inteligjencën njerëzore ekzistojnë edhe në botën e jashtme.

“Do t’i njohësh përmes veprave të tyre.” Si mund t’i përafrohemi një vetëdijeje tjetër, dikujt që për ne nuk është më tepër se një trup? Përreth, njerëzit mund të na duken inteligjentë dhe të ndjeshëm, por si mund ta kuptojmë që edhe ata janë qenie që mendojnë dhe kanë ndjenja për sa kohë është e pamundur ta shohim botën nga këndvështrimi i tyre? A janë vërtetë të tjerët edhe aq të ndryshëm nga andoridët? Njerëzimi duket se është çështje besimi. Besim se edhe të tjerët janë njerëzorë dhe besojnë në njerëzimin tonë. Duke na treguar se nuk ka ndonjë dallim të madh midis mendjeve të të tjerëve dhe një roboti si Klara, Ishiguro duket se thotë se nuk ka asgjë të re në idenë e robotëve dhe ndërkaq, se robotët janë pë rata të cilët besojnë, çka mbetet e veçantë./ Solli në shqip Bjorn Runa

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *