A jemi gati për katastrofat?

Edmond Arizaj

Mes shqiptarësh pesimistë mbi të ardhmen e vendit egziston një shprehje sa qesharake, e dhimbshme e jo pak herë aktuale: Shqipëria i shpëton apokalipsit sepse është 500 vjet prapa Botës dhe 250 vjet anash. Pse m’u kujtua? Nuk e di sa u bënë, dy a tre javë, që ne shqiptarët, jemi përfshirë në debatin “madhështor” të atdhedashurisë nga kompiuteri, luftës së pakompromis me çdo serb, njeri apo kafshë s’ka rëndësi, e si çdo brez edhe duke i numëruar njëri-tjetrit “spiunllëqet”, bashkëpunimet, kush e ka fisin e farën më të mirë…Ndoshta më shumë se 500 vjet pas Botës. Sepse sot e gjithë Bota është përfshirë në ankthin e madh të ndryshimeve klimatike dhe rrjedhojave katastrofike që po vijnë prej saj. Shqipëria nuk ka shpëtuar, pavarësisht 250 vjet anash. Shtete të fuqishme, shumë të fuqishme janë gjunjëzuar përballë nxehtësisë apo përmbytjeve, Japonia më së fundmi. Çfarë bën Shqipëria? Sigurisht që nuk ka asgjë në dorë për ndryshime të mëdha, por mund të bëjë përpjekjet e saj, ashtu si harabeli që kur mori zjarr pylli sillte ujë me sqep, jo pse do e shuante, por pse bënte aq sa mundej. A di njeri në Shqipëri, ndonjë institut sa sa tonë gazra serë lëshon vendi ynë në vit? A di njeri, ndonjë institucion, sa hektarë pyje na kanë mbetur? A di njeri, a kemi ndonjë strategji për uljen e emetimit të gazrave? A kemi ndonjë studim se si do e freskojmë Tiranën që vit pas viti po bëhet më e nxehtë? Etj të tilla. Nuk bëhet më fjalë thonë shkencëtarët për shekuj, por për vite dhe katastrofat do të jenë më të shpeshta. A jemi gati ne për katastrofat? Tërmeti tregoi që jo. Zjarret po ashtu. Ndoshta sytë veshët dhe energjia duhet kanalizuar në përgatitjet për çka po vjen. Kështu mendoj tregohemi patriotë të mirë.
PS: Nuk e përmenda hiç virusin, sepse me çpo ndodh në Botë, përmbytjet e afërta mund të jenë më të rrezikshme. Shpresoj që mos t’i ndihmojmë fatkeqët tanë vetëm me lutje.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *