A e kemi arritur kulmin e marrëzisë?

Nga Otto English

Nuk ka dyshim që marrëzia nuk është një dukuri e kohëve të fundit. Historia është e mbushur plot me njerëz idiotë që kanë bërë veprime qesharake. Kjo më kujtohet sa herë që kaloj përbri një varreze në Londrën Juglindore, ku prehet Robert Koking, një piktor anglez që në vitin në 1837, në moshën 61 vjeçare, vendosi t’i tregonte të gjithëve një parashutë që kishte shpikur vetë, duke u hedhur nga një balonë me ajër të nxehtë nga lartësia 1600 metra mbi Grinuiç.

Koking nuk kishte qenë kurrë më parë në një balonë me ajër të nxehtë, nuk dinte asgjë mbi fluturimin apo modelimin e parashutave, dhe nuk kishte menduar që ta provonte në fillim mjetin e tij mbrojtës në lartësi të vogla.

Ai ishte aq i sigurt në shpikjen e tij saqë u hodh nga ajo lartësi e madhe. Pas atij momenti nuk realizoi më asnjë tablo të re. Por nuk mund të mohohet se Koking ishte një njeri përpara kohës së tij.

Luftërat e mëdha të shekullit XX-të, ishin midis komunizmit dhe kapitalizmit, monetarizmit dhe kejnsianizmit, vlerave demokratike dhe diktaturave. Beteja përcaktuese e epokës sonë është midis të informuarve dhe injorantëve krenarë për atë që janë. Dhe së fundmi, ata që kanë fituar janë këta të fundit.

Ndiqni televizionet, radiot, mediat sociale. Budallai është vendosur në qendër të skenës. E kush ka nevojë për balona eksperimentale me ajër të nxehtë, kur keni në shtëpi qetësues për kuajt, për të cilin ju mendoni se do t’iu shërojë nga Covid-19?

Vdekja e Koking ishte një dëshmi e hershme e efektit Daning-Kruger, një paragjykim njohës që i bën që njerëzit që dinë shumë pak të besojnë se dinë shumë. “Paaftësia nuk i bën njerëzit të jenë të çorientuar, hutuar apo të kujdesshëm. Përkundrazi ndodh shumë shpesh që të paaftët “bekohen” nga një besim i papërshtatshëm, dhe nxiten nga diçka që atyre u duket si njohuri”-ishte përfundimi në të cilin arritën sociologët Dejvid Daning dhe Xhastin Kruger, të cilët ishin të parët që e identifikuan këtë dukuri.

Ata po shkruanin kështu në vitin 1999. Ndërkohë në shekullin XXI, efekti Daning-Kruger është kudo. Mediat informative janë bërë si një “bishë” e uritur. Ato kanë nevojë për ushqim të vazhdueshëm, dhe kur nuk keni “ushqyesit” dhe “vitaminat” e lajmeve të reja,atëherë duhet që të improvizoni me “karbohidratet” e komenteve që janë më shumë shprehje dufi.

Gjatë 20 viteve të fundit, komentet janë shndërruar në një industri të vërtetë, shumë ish-politikanë dhe aktorë të dështuar janë të gatshëm të dalin në media për të dhënë këndvështrimin e tyre idiot dhe aspak të menduar. Në rastin më të mirë komente të tilla vetëm sa hedhin dritën e nevojshme mbi tema të rëndësishme.

Në rastin më të keq, ato krijojnë atë që gazetari Dejv Holms e përcaktoi si një “që bën si i zgjuar, dhe që nuk dallohet se është budalla”. Merrni për shembull Ben Shapiro, një figurë shumë e dashur e së djathtës konservatore amerikane. Shapiro, sot 37 vjeç, ka qenë një komentator politik që kur ishte 17 vjeç.

Autor i shumë librave, përfshirë një libër me titull “Si të debatoni me të majtët dhe si “t’i mposhtni ata” është drejtues i portalit “Daily Wire” dhe kolumnist në “Breitbart”. Në qarqet konservatore, Shapiro vlerësohet si një intelektual, për shkak të diplomimit të tij për jurisprudencë në Harvard, apo për aftësitë e tij mbresëlënëse në debate.

Shapiro ka 3.5 milionë ndjekës në Twitter. Në vitin 2017, “New York Times” e quajti atë “filozofi i lezetshëm i fëmijëve”. Po ashtu ai ka një mendim për gjithçka në këtë botë.

Gjatë një prej tureve të tij të rregullta në kampuset universitare në vitin 2019, Shapiro deklaroi para audiencës se ngritja e niveleve të detit prej 5 apo 10 metrash e shkaktuar nga ndryshimet klimatike nuk ishte një problem, pasi njerëzit që sot banojnë në zonat bregdetare thjesht do të “shesin shtëpitë e tyre dhe do të lëvizin prej andej”.

Po dy vite më parë, ai pretendoi se nuk kishte nevojë për të kërkuar ndjesë për skllavërinë, pasi kishte pasur një të tillë dhe ajo “quhej Lufta Civile”. Kohët e fundit, ai deklaroi se “Daily Wire” do të “sfidojë” vendimin e presidentit amerikan Xho Bajden për vaksinimin e detyrueshëm të punonjësve në kompanitë me mbi 100 punonjës.

E megjithatë, Shapiro nuk ka paguar ende një kosto për marrëzinë e tij. Fatmirësisht, ekziston shpresa që kulmin e marrëzisë ta kemi kaluar tashmë. Natyrisht kulmi i tij do të ketë qenë presidenti i 45-të i Shteteve të Bashkuara. Çfarë është Buda për Budizmin, çfarë është Marksi për komunizmin, Donald Trump është simboli i budallallëkut.

Gjatë 4 viteve kaotike të tij në pushtet, ishte e vështirë të kalonte një ditë që Trump të mos këpuste ndonjë mufkë. Në vitin 2018, ai e cilësoi Uraganin Florens si “një nga më të lagështit që kemi parë ndonjëherë, nga pikëpamja e ujit”.

Në vitin 2019, ai sugjeroi që gjatë Luftës Revolucionare Amerikane, ushtria e Uashingtonit kishte “pushtuar aeroportet” – pra plot 128 vjet para fluturimit të parë me avion të vëllezërve Rajt. Në një fjalim të mbajtur në Komitetin Kombëtar të Kongresit Republikan atë vit, ai deklaroi se “zhurma e mullinjve të erës shkakton kancer tek njerëzit”.

Deklarata të tilla nuk do të kishin qenë problematike nëse Trump nuk do të ishte udhëheqësi i vendit më të fuqishëm në Tokë, dhe përgjegjës për shëndetin e miliona amerikanëve gjatë pandemisë së koronavirusit. Në fakt, marrëzia përmban diçka qetësuese.

Qasja në të është shumë e lehtë. Nuk ke nevojë të lexoni ndonjë libër. Mjafton një postim në Facebook. Instinktet tuaja do të konfirmohen nga mendimi në grup, paragjykimet tuaja, dhe nga teoricienët e konspiracionit. Rezultati përfundimtar, megjithatë, mund të jetë serioz dhe potencialisht edhe vdekjeprurës.

Ai mund të vijë në formën e burrave që sulmojnë Kapitol Hill në Uashingtontë veshur me brirë, apo në protesta të mëdha kundër bllokimit, kundër vaksinave në Londrën Qendrore, nga ata që besojnë se koronavirusi është një krijesë e BBC.

Në rrënjë të kultit të marrëzisë, qëndron koncepti se opinionet e të keqinformuarve duhet të kenë po aq peshë sa ato të ekspertëve, se kundërshtarët e vaksinave duhet të dëgjohen po aq sa virologët. I vetmi ilaç kundër marrëzisë është përulësia.

Unë nuk marr aspak vesh nga futbolli. Ndaj mendimet e mia mbi lojën e bukur, nuk duhet të kenë të njëjtën vlerë me atë të Markus Rashford apo Garet Sauthgejt. Dhe e njëjta gjë vlen edhe për shumë fusha të tjera.

Që t’i japim fund epidemisë së marrëzisë, të gjithë duhet të pranojmë të metat tona, dhe të biem dakord së bashku se nuk mund – dhe nuk duhet – që të dimë gjithçka. Ne duhet ose ta pranojmë injorancën tonë, ose të ndëshkohemi për shkak të saj. / “Politico.eu” – Bota.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *