Shqiptarët fajësojnë Perëndinë!

permbytje-ushtriShqipëria e përmbytur më kujton kohët kur në anët tona kënetat bënin kërdinë. Prej ditësh qeshë ngulur në dhomë e shihja reshjet që merrnin para çu dillte: rrugë, ura, shtëpi e kodra. Televizionet publikojnë pamje që mua më kanë trishtuar në kufijtë e fundëm. Mes tyre, banorë të varfër e të rraskapitur që i qajnë hallin Lulit të vocërr(jo atij të Migjenit). Dhe ai, bën sikur preket pa masë. Hipokrizi! Edhe rruga Durrës-Kukës “kish dalë nga shtrati e kishte rënë poshtë shtratit”. Nuk e di kush është më i pistë, qeveritarët që s’arritën ta parandalojnë, apo opozitarët që shfrytëzojnë rastin për të nxjerrë surratet delikate që rrojnë në zyra me kondicionerë në televizione.

Po shoh, të tjerë që veç qeverisë, fajin ia hedhin edhe Perëndisë. Dale pak, edhe Ai ka faj?!

-Kur ju i pretë pemët e i bëtë zjarr, e nuk mbollët pemë të reja, ku i patët mendtë?

-Kur lumenjëve(në vend që të mbillnit pemë anash) iu gërryet shtratin, e rërën e shitët, ku i patët mendtë?

-Kur plehrat i hidhnit kudo, në rrugë, trotuare, puseta, lumenj, ku i patët mendtë e kokës?

-Kur në tokat e bukës(arat ujëmbajtëse) ndërtuat shtëpi dhe në tokat pa ujë mbollët qepë, ku i patët mendtë? Se ju vutë shtëpinë në arë, e arën në çati- u ndjetë më të zgjuar se gjyshërit që ndërtonin në kodra? Me cilat mend?

-Kur ju ndërtuat ne shtratin e lumit dhe lumin e nxorët pa pronë, mendja juaj e ndritur, a nuk e mendoi tërbimin e lumit?

-Kur ndërtuat pa pyetur qeverinë, pse i kërkoni llogari qeverisë, asaj që s’ka qenë, s’është e nuk do jetë? Me cilat mend?

-E dini ju që jetoni në Zulluland, pse i kërkoni llogari shtetit sikur jeni në Paris?

-I kujtohet mendjes suaj lekët që u mori polikanëve për zgjedhje? Epo ju kanë blerë votën e heshtjen!!!

-U vjen ndërmend që ju dilni në sheshe vetëm kur ju thërret opozita ose partia? Epo ata e dinë se kë qeverisin, dilni prapë e mbushi sheshet në fushata e koncerte!!!

-Kur keni 10 vjet që përmbyteni, pse gërryeni oborrin, e mbi katin e parë vini të dytin? Nuk u thotë mendja se po i hapni gropën vetes?

-I kujtohet mendjes suaj që ngrohet me zjarrin e durëve të prerë? Tani le të laget me rrëmbimin e ujërave që si ndalen dot rrënjët e thara!

-E kuptoni, ju jeni brez që nuk ditët të tejkaloni as baballarët? Nuk mundët madje as ti arrini. I latë malet, erdhët në fusha ju alpinë të jugut e veriut, ndërtuat ku mundët, zhvatët sa mundët, e shkatërruat natyrën, e bëtë çorbë këtë vend, e tani qaheni- me cilat mend?

Ç’tu them tjatër o vëllezër të mjerë, që s’u bëtë njerëz njëherë. E keq më vjen tua them,   se më dhemb në shpirt ky vend që bie e nuk ngrihet, e zhytet, në baltë, në llucë, në borxhe, në mjerim, në padije, në shkatërrim, ky Zulluland që rend pas të huajve që u tallin e u qeshin, e ikin nga sytë këmbët mbasi kanë bërë kryq prej habisë sesa shumë njeriu mund ta shkatërrojë veten. Në këtë vend permbytjen e mjerimin i keni falas, si shëndetësinë e Beqë Salembozës.

Po ç’tu them shqiptarëve unë? Ç’tu them, se jeta nuk mbaron te porta juaj e çdo gjë që ktheni përmbys jashtë shtëpisë suaj, një ditë do tu bjerë mbi kokë?! Ja e thashë, po ç’ndryshoi?! Asgjë.

Më vini veshnë: mbillni, pastroni, rregulloni, parandaloni, ndërtoni me rend e me mend, se edhe Perëndia thotë: më ndihmo njëherë të ndihmoj 10 herë.

Ju akoma keni mbetur tek ura, hiq e mos vur. E tani edhe më keq, për veprat tuaja të liga kini nisur e fajësoni Perëndinë.

Kur po shkruaja këto radhë në një kartë, më erdh ai Dr.Emrullahu që tha se e kishin ftuar në një emision që të fliste për përmbytjet. I thashë, po çke parë ti? Çke bërë ti për të ndihmuar këtë popull? Kam parë televizor tha e do vete të them se ujët po tërhiqet se erdhi dielli nga Majemi. I rashë murit me kokë: po ai më tha kështu bëjnë të tërë. Ngaqë është fryrë Lana, venë gjer aty, bëjnë dy poza e dalin japin mend.

A ka ky popull mend të japë?!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *